Një penallti në shtesë, në minutën e 93-të, ka vendosur fatet e ndeshjes Flamurtari-Partizani.
Një ndeshje që u kthye në luftë në fund, sepse fitorja 1-0 e Flamurtarit erdhi pas një penalltie që nuk u pranua lehtësisht nga Partizani, që protestoi gjatë, me trajnerin Starova që doli me karton të kuq, duke prekur me duar edhe arbitrin.
Në fakt, ishte një episod shumë i dyshimtë, sepse një kros në zonë u largua me kokë nga Atanda, por më pas topi u përplas në dorën e tij. Nëse jepet 11-metërsh në këto raste, e dinë specialistët e gjykimit.
Nga pika e bardhë Bushiç, gjuajtje qendrore, grushtoi Alban Hoxha, por Bushiç sërish shtyu topin në rrjetë, duke u treguar shumë më i shkathët se mbrojtësit e Partizanit.
Ishte fundi i një sfide të dominuar nga Flamurtari në aspektin territorial, ndërsa nuk munguan edhe rastet, sidomos për kuqezinjtë, por Partizani ishte mjaft i organizuar dhe nuk dukej se kishte vuajtur shumë nga ndryshimet pa fund në janar.
Në shtesë erdhi goli që ngriti peshë një stadium të mbushur plot: Vlora e priste gjatë këtë fitore, tani është -6 nga kreu!
SUPERIORE
FLAMURTARI – PARTIZANI 1-0
GOLI: Bushiç 90’+5
FLAMURTARI: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta, Sidibe, Useini, Zhufo (Nedeljkoviç 46’), Hoxhaj (Zuka 65’), Alvesh (Kamara 81’), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro
PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Kotobelli, Telushi, Batha, Asani (Trashi 64’), Progni, Fili (Ramadani 65’), Bardhi (Gojkoviç 89’). Trajner: Sulejman Starova
Kartonë të verdhë: Siljanovski 14′, Useini 42′, Bicaj 90’+1 / Progni 14’, Batha 85’