Në një kohë që thuajse e gjithë Superiorja dhe Kategoria e Parë provojnë, afrojnë e largojnë lojtarë, Tërbuni ka zgjedhur rrugën e kundërt. Qetësi totale, shumë punë dhe asnjë dalje publike me deklarata të bujshme për merkaton.
Drejtori teknik Oltijon Kërnaja dhe trajneri Kreshnik Krepi kanë realizuar goditjet e radhës, sepse kanë afruar pa zhurmë dy futbollistë që mund të vlejnë shumë për të ardhmen.
Braziliani Brajan Arkanjo, mesfushor ofensiv vetëm 20 vjeç, është bashkuar me skuadrën pukjane, pas një eksperience në kategoritë e ulëta suedeze. Klubi pukjan ka pasur shumë lojtarë të propozuar në javët e fundit, por nga të huajt ka zgjedhur vetëm brazilianin, i cili shpreson ta përdorë Kategorinë e Parë si trampolinë.
Ndërkaq, është bashkuar me Tërbunin edhe sulmuesi Besar Mustafaj. 23-vjeçari shkodran ka luajtur me Adën, Veleçikun e së fundit Burrelin, ndërsa ka qenë për pak muaj jashtë Shqipërisë dhe tashmë kthehet për t’u bashkuar me skuadrën pukjane.
Në këtë mënyrë, trajneri Krepi mbyll merkaton, sepse edhe me afrimin e sulmuesit Jurgen Gjini para pak ditësh, skuadra është kompletuar.
Një fitore më vete për Tërbunin ka qenë edhe ruajtja e ekipit që shkëlqeu fazën e parë, edhe pse lojtarë si Beci e sidomos Donald Saliaj kishin shumë oferta, edhe në Superiore. Mesfushori Saliaj kishte ofertë edhe në Kosovë, por në fund klubi pukjan ka arritur ta bindë të vazhdojë deri në fund të sezonit.