Nevil Dede ka lënë sot drejtimin e Erzenit dhe vendimi i tij është zyrtar. Trajneri dhe ish-futbollisti i famshëm, i cili e mori drejtimin e skuadrës shijakase vetëm dy javë më parë, ka vendosur të largohet.
Për “Sport Ekspres” Dede zbulon arsyet që e çuan te ky vendim i papritur: “Më keqardhje më duhet të lë drejtimin e Erzenit, edhe pse sapo e kisha marrë detyrën dhe dëshiroja të jepja ndihmën time, pas një marrëveshjeje ‘xhentëlmenësh’ me drejtuesit e Erzenit. Për fat të keq, e kam pasur të pamundur të përballoj largësinë dhe lëvizjen e përditshme nga Tirana në Shijak, duke mos pasur kohën e mjaftueshme për të përballuar edhe impenjimet si trajner i kombëtares U-19 të femrave”.
Në këtë mënyrë, merr fund pa nisur mirë aventura e Dedes në Shijak, por ish-trajneri i Tiranës, Laçit, Luftëtarit e Kastriotit bëri një punë mjaft të mirë në një periudhë të shkurtër, duke bërë mjaft ndryshime në skuadër dhe duke arritur disa rezultate mjaft pozitive në miqësoret e janarit.
Tani Erzenit i duhet të nisë gjithçka nga e para, edhe pse baza e skuadrës është, me afrimin e sulmuesit Xhixhiua nga Partizani dhe disa lojtarëve të tjerë interesantë.