Trajneri shkodran pas përgatitores tregon se si e gjen pjesa e dytë e sezonit skuadrën e tij dhe dëshirën e madhe për Superioren
Bujar Balliu
Kastrioti në pjesën e parë të sezonit ka treguar stabilitet, duke dhënë edhe një performancë mjaft të mirë dhe jo më kot e ka mbyllur në krye të renditjes. Pjesa e dytë e sezonit, natyrisht që do të jetë më e vështirë për krutanët, por edhe skuadrat e tjera, pasi do të ndahen edhe verdiktet dhe ekipet duan që të gabojnë sa më pak për të bërë realitet synimet e fillimit të sezonit. Pas miqësores të së shtunës me kosovarët e Ferronikelit, e cila u ndërpre për shkak të reshjeve të shiut, trajneri i Kastriotit dha një prononcim për “Sport Ekspres” teksa foli në lidhje me ecurinë e përgatitjeve si edhe hyrje-daljet te krutanët, tha. “Jam me të vërtetë i kënaqur nga performanca e skuadrës në këtë ndeshje dhe kjo është fryt i impenjimit maksimal në fazën përgatitore që skuadra ka zhvilluar. Ka qenë një fazë mjaft produktive, ku përkushtimi ka qenë maksimal nga çdo futbollist. Tashmë po i afrohemi pjesës së dytë të kampionatit dhe skuadra është gati”.
LËVIZJET – Trajneri Nikaj, ndër të tjera foli edhe për lëvizjet e merkatos, sidomos në skuadrën e tij, kur shtoi se: “Pozitiv është fakti që ka mbetur i paprekur grupi i lojtarëve dhe kjo është mjaft pozitive, pasi janë këta futbollistë që e kanë ngjitur Kastriotin aty ku është sot në krye të grupit A. Kam besim tek këta futbollistë që në pjesën e dytë do t’i zbatojnë më me përpikmëri detyrat dhe do të gabojmë më pak se në pjesën e parë të kampionatit. Kemi pasur vetëm dy largime dhe presim që këta futbollistë të larguar t’i zëvendësojmë me lojtarë cilësorë, dhe në ditët në vijim besoj se do të bëhen publikë edhe emrat e tyre. Sa i takon ndeshjes me Tërbunin, është një kundërshtar që ka ardhur në rritje në ndeshjet e fundit dhe duhet pasur kujdes. Por ne si gjithmonë do futemi në ndeshje me synime të qarta për fitoren e radhës”, – u shpreh Nikaj në prononcimin e tij.