Që në javën e parë të janarit 2018, ekipi i Shkumbinit i është rikthyer punës në fazën përgatitore të dimrit. Problematikat e hasura në pjesën e parë të kampionatit i ka detyruar në tërësi drejtuesit peqinas të kërkojnë më shumë në këtë fazë përgatitore për të ndërtuar një ekip që të arrijë të dalë nga momenti i vështirë dhe të garantojnë qëndrimin në Kategorinë e Parë. Kujtojmë që Bashkia e Peqinit e rriti buxhetin për futbollin.
Problematika – Mirëpo, kjo situatë e ndërtuar me kujdes në kornizën e organizimit nuk duket të jetë plotësisht bindëse për një pjesë të mirë të lojtarëve bazë në këtë ekip. Viti i kaluar u mbyll me disa pakënaqësi të justifikueshme nga lojtarët peqinas të cilët përpos pagës nuk mundën të shijojnë asnjë dhuratë për festat e fundvitit. Si për ta harruar paksa vitin që u la pas, drejtuesit e klubit premtuan se ky vit do të jetë më i mirë financiarisht. Kujtojmë që për mos marrjen e pagave, disa nga lojtarët titullarë dhe jo vetëm, nuk kanë udhëtuar me ekipin drejt Elbasanit ditën e shtunë në miqësoren e humbur me rezultatin 3-1. Kjo mund të jetë shkëndija e parë që lojtarët mund ta përshkallëzojnë deri në prag të sfidës ndaj Tiranës, duhet që drejtuesit të reagojnë para se situata të mos ketë dot zgjidhje.
Lulëzim Resuli