Armand Duka “pa doreza”: “Nuk jam qaraman dhe gjunjët më mbajnë. Do të doja të garoja me individin dhe jo politikën. Shtetit i kemi dhënë, por na ka dhënë zero”
Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, i ftuar në emisionin “Fair Play” në “News 24”, ka folur “pa doreza”, teksa duhet theksuar se, në ndryshim nga daljet e tjera, ka përmendur edhe arritjet që federata ka arritur në kohën e presidencës së tij, pra në këto 16 vite. Ndërsa deri tani kishte qëndruar disi në mbrojtje dhe duke pritur, dje në mbrëmje, presidenti i FSHF-së dhe kandidati për mandatin e radhës në krye të federatës, është hedhur në sulm… Përpara gazetares Enkelejda Zeko, ai ka prekur të gjitha temat.
Pritej kandidimi më herët. Kishit hezitim, apo prisnit datën e Asamblesë?
Po e nis nga hyrja që i bëre. Si rrallëherë, janë zgjedhje shumë sensibël, të diskutuara, prezentë në të gjitha rrjetet sociale. Ndoshta kjo, sepse sa m i rëndësishëm aq më i bukur është, aq më interes kanë. Është vërtetë një sport i dashur dhe i ndjekur. Dhe është ndër institucionet më të organizuar në Shqipëri.
Zgjedhjet të kenë këtë ndikim?
Ka 20 vjet, por futbolli s’ka qenë kurrë në këto nivele, federata kaq e organizuar, me kaq shumë garë me kandidatë siç edhe është tani
Të gjitha titujt e gazetave flasin për këtë temë… Shumë e diskutuar për momentin. Ju pëlqen?
Patjetër që po. Pasi jam pjesë e skuadrës që e ka sjellë këtë sport të diskutohet shumë. Uroj që të jenë në të mirë të asaj loje për të cilën ne jemi dhe diskutojmë.
A kishe pikëpyetje për kandidimin?
Asnjë pikëpyetje, por desha të respektoj afate statusore dhe të jem “fair play” me të gjithë dhe të kishim kohën e barabartë me të gjithë. E papranueshme është që ndonjë diskutim apo ironi që kam parë lart e poshtë. Nuk kam parë në asnjë zgjedhje që nëse bëhet paralelizëm me zgjedhjet e politikës, 40 ditë përpara shpallet kandidatura. Ndodhi në konform statusit. Të themi që jemi të befasuar se njerëzit nuk e prisnin, është surprizë. E kemi diskutuar që 6 muajt e parë FSHF duhet të bëjë një asamble. Nuk besoj se ka pasur surpriza. Por, për të mos cenuar rregullat dhe afatet statusore, vendosa të kandidoj kështu.
Ditën e enjte, me shpalljen e kandidaturës tuaj, i prishët premierën Finos. Koincidencë apo e dinit?
Jemi vend i futboll dhe diskutojmë shumë, por ka kohë për ditë dhe muaj që diskutohet. Dëgjova trumbetime që Fino do të dali dhe japi lajm të madh. Nuk ishte surprizë e madhe.
16 vite në futboll janë pak apo shumë që të mendonit të tërhiqeshit nga rikandidimi. Mund ta bënit si futbollistët e mëdhenj që e mbyllin karrierën me një trofetë madh (Europiani 2016). Çfarë ju bëri të besonit te vetja?
Nuk mund të jemi viktimë e asaj që e çuam ne në Europian, por ishte punë e të gjithëve bashkë. E të gjithë ambientit shqiptar. Dhe i të gjithëve faktorëve. Nëse unë jam pjesë e këtij ekipi dhe e ndjej, jam krenar që shkuam. Do të më kishte pëlqyer të isha futbollist i madh, por as president i madh s’kam qenë. Etrit Berisha duhet ta kishte lënë futbollin se shkoi në Europian. Çdo futbollist do të vazhdojë sa të ketë gjunjë. Nuk ndjej se më kanë lënë gjunjët. Goxha gjëra kemi bërë bashkë me ekipin dhe goxha na presin. Projekte të reja. Dhe raportet me komunitetin janë pozitive. Ky është vullneti im, por vendimi është i zotit të shtëpisë, që është komuniteti i futbollit.
Keni thënë se “në rast se ka platformë më të mirë rivali”, nuk do të kandidoj. Nuk ka, sipas jush?
Kam thënë që nëse ka alternativa sjell diçka pozitive. Nëse mendohet që diçka sjell risi, jam iniciator i ndryshimit. Por, ai nuk vjen duke ndryshuar kalin fitues, por duke sjellë projekte të reja dhe pasur energji për t’i realizuar. Kemi shumë për të bërë. Nëse do të më lejoni t’i radhis se çfarë janë bërë këto vite. Një fans më tha mos ki turp t’i përmendësh ato që ke bërë. Jemi kujdesur pak që te tregojmë se çfarë kemi bërë. Në këto kushte, e shoh të arsyeshme t’i rikujtojmë dhe pse jemi sot këtu. Jo për presidentin, por ekipin që ka bërë mirë. Nëse do t’i hedhim sy të kaluarës, federata ishte inekzistente në të gjitha format. Infrastrukturat mjerane. i vetmi investim i bërë në ato vite ka qenë ndriçimi në “Qemal Stafa” dhe kujtoj që UEFA dhe FIFA ishin edhe atëherë. Të gjitha nisën pas vitit 2002, u ndërtuan fusha, janë investuar rreth 12 milionë euro bashkë me investimet. Duhet t’i shumëzosh me dy çfarë ka përfituar futbolli. Pati ndryshim të menjëhershëm. Nuk arritëm nivelin maksimal, por të paktë të ekzistencës. Nëse do të kthehemi nga pikëpamja e strukturës, ishte me tre njerëz në një karrige dhe institucion poshtë stadiumit. Sot është administratë e organizuar mirë. Ka vend për përmirësim, në një kampionat me 16 skuadra. Sot kemi kampionat të të gjitha niveleve. Janë bërë gjithë këto gjëra. Për fat të mirë, jo vetëm presidentit, por edhe njerëzve që mbështetën këto projekte dhe i kanë vënë shpatulla. Katër vjeçari i fundit ishte i artë dhe uroj mos jetë i vetmi. Ndodhën ndryshime rrënjësore në infrastrukturë, bashkë me Qeverinë, si stadiumi i Shkodrës dhe Elbasanit. Jemi në fazën finale të Arena Kombëtare. Kemi ndryshuar paraqitjen e kombëtares por edhe klubeve. Euro 2016 ishte një ëndërr që jemi akuzuar shumë, pasi na thonin se gënjeni dhe nuk do të shkojmë. Dhe, na thanë se nuk e kishim bërë mirë punë. Do të jetë motivim për të ardhmen. Arritëm diçka që optimisti më i madh nuk e mendonte.
Pas këtyre 16 viteve, ka nevojë Duka për fushatë elektorale sot?
E kam thënë dhe në një intervistë timen. Po diskutojmë për sport. Me fjalën “fushatë” jemi lodhur shumë. Dëgjojmë në politikë, gënjeshtra pa fund. Premtime pa fund, rezultatet e tyre dihen. Në jetën e përditshme jemi qytetarë dhe e dimë se sa janë mbajtur. Jemi këtu për diskutim, qoftë edhe me alternativat. Absolutisht që duhet të konsultohesh me njerëzit e futbollit. Diskutojmë thjesht ato mendime që ka gjithsekush për të ardhmen, çfarë bëmë mirë ose keq dhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Jemi në ato diskutimet e vazhdueshme që nuk kuptohet dita e zgjedhjeve.
Në 165 vite, vije nga biznesi dhe tani je në brendësi të këtij drejtimi. Më tepër ka fituar federata nga duka apo e kundërta?
Në dy plane. Duka ka fituar më shumë në planin moral. Federata dhe futbolli më kanë dhuruar shumë emocione. Më kanë bërë të përballem dhe kem raporte me shumë njerëz. Të dëgjoj miq dhe pranoj këshilla. Mendoj që kam fituar, por kurrsesi materiale apo financiare. Ndoshta, po të shpenzoja më shumë kohë në bizneset e mia, do të fitoja më shumë. Por, emocionet dhe raportet që kam fituar nga bota e futbollit nuk do t’i fitoja. Nga pikëpamja materiale, ka fituar federata nga unë.
Keni dhënë para personale te FSHF?
Nuk kam kontribuar në buxhetet e FSHF me donacione, por nuk kam shpenzuar asgjë nga federata. As shofer, as makina dhe as dieta e as paga…
Si e gjykoni punën tuaj në 16 vite?
Përgjigje që duhet ta japë komunitetit i futbollit nëpërmjet votës. Në 16 vite kam shpenzuar shumë kohë kam punuar me përkushtim dhe bëra më të mirën. Nuk kam asnjë peng pse se bëra dhe këtë. Nëse ka rezultuar pozitive ose jo, janë edhe ato shifrat që ju thashë dhe arritjet. E them padyshim që futbolli shqiptar është ishulli më i zhvilluar. Padiskutim që ka kritika, bëhet fjalë për garë.
Pse kaq e vështirë, Duka president, duka si biznesmen?
Gjatë gjithë kohës nuk jam marrë me menaxhim direkt me bizneset. Kjo ishte sakrifica ose vuajtja që mund të kem pasur. Perceptimi i njerëzve, në fakt, nuk e di nëse është mirë apo keq. Por, më vjen mirë që më kanë harruar si biznesmen dhe kënaqem, por në moment jo suksesi mendoj për gjëra të tjera. Nuk ka konflikt interesi mes meje dhe FSHF, nuk ka abuzime.
Federata është konsideruar si shtet brenda një shteti. Pse?
Jo, organizatë e konsoliduar dhe pavarur që për të arritur deri këtu se kishte të lehtë. Nëse kthehemi për vitet përpara meje, FSHF ishte jo e pavarur. Ku ishin katër pesë drejtues që paguheshin nga ministria, ndërsa sot merr 0 financime nga shteti. Vetëm i jep shtetit taksa çdo muaj. Falë punës së këtij stafi apo komiteti ekzekutiv që ka punuar dhe strukturuar këtë organizatë. Sot, në gjuhën tënde quhet shtet brenda shtetit, por është organizatë në respekt të ligjeve dhe statuteve. Mbahet me financat e saj. Nëse do të shkojmë në vitin 2002 ishin 10 mijë marka në vit, ndërsa sot janë 3 milion e 300 mijë euro.
Thatë që nuk merrni asgjë nga shteti por vetëm i jepni. Duke iu referuar ligjit për sportin, të ardhurat e të drejtave tv, 90% i takojnë klubeve, 10% shtetit shqiptar. E vërtetë dhe pse s’e keni kundërshtuar?
Le të themi paketë ligjore të mirëstudiuar që ndihmon sportin dhe futbollin nuk kemi. Kemi propozuar disa herë, madje nëse ju kujtohet kishim debat në grup parlamentar kur na ftuan dhe nuk arritëm sukses.
Pse?
Dërguam propozimet me shkrim jo vetëm në grup parlamentar, por edhe në ministri, që ka edhe probleme të tjera. Nuk mendoj se mjafton ligji i sportit për të nxitur zhvillimin e sportit dhe futbollit. Duhet ndryshuar taksimi i klubeve, që t’u jepet mundësi rritje. Të bësh përfitim ose fitim është e pamundur, në këto kushte. Nuk ka lehtësim nëse investon. Nuk ka ndonjë inventiv. Sporti dhe qeveria s’kemi bërë progres të madh. Duhet të jemi vërtet për ndryshimet apo ato çfarë ka bërë në futboll fryti i bashkëpunimit mes federatës dhe qeverisë, si stadiumet e Elbasanit dhe Shkodrës. Po, për të siguruar të ardhmen akoma më mirë do të duheshin dhe shumë gjëra. Ka ardhur momenti që mund t’i bëjmë më mirë.
Kundërshtarët tuaj. Të futemi te akuzat që ju drejtohen shpesh: Ju keni uzurpuar komitetin ekzekutiv. Madje ka emra me lista.
Tentoj të shmang këto terma, si uzurpime, pasi nuk më pëlqejnë. Kam bashkëpunuar nga viti 2002 deri tani me njerëz dhe komitete ekzekutive. Patjetër që kam pasur diskutime dhe debate rrugës. Kemi bërë shumë gjëra bashkë. Nëse në një zgjedhje ti lobon për të bashkëpunuar me dikë nuk quhet uzurpim. Këto banalitete dhe uzurpime s’kanë ndodhur. Në mënyrë të hapur e them që preferoj të punoj më shumë me ju se më një tjetër. Lobimi është diçka normale. Gjithmonë i kemi bërë me fair-play. Shohim lobimet e politikës që harxhojnë miliona. Ne i kemi bërë me fjalë.
Presidenti Duka i pakonkurrueshëm. Kjo ide është krijuar…
Kam vlerësuar maksimalisht çdo garë dhe kandidat. I kam respektuar kandidatët që kanë ardhur nga bota e sportit që vërtet e kanë ndjerë dhe luajtur. Nga ata që kanë dëmtuar financat e bizneseve dhe familjeve. Nga çdo garë kam fituar jo vetëm mandat, por edhe duke marrë ndoshta ide nga konkurrentët e nderuar. Në një garë jo vetëm që fiton më i miri, por merr diçka edhe nga propozimet e të tjerëve. S’kam pasur asnjë garë konfliktuale. Hera e parë kundër një sekretari partie, por duhet ta provoj.
Slogani, bashkë për futbollin. Çfarë donit të thonit dhe cilat janë planet konkrete?
Bashkë kemi punuar deri tashmë dhe kemi realizuar këto që kemi realizuar dhe bashkë mund të bëjmë. Kjo ishte ideja e sloganit për Asamblenë e 7 shkurtit. I njoh problemet e futbollit, të paktën kështu mendoj. Dhe e di se çfarë duhet për të ecur përpara dhe pasur suksese më të mëdha se sot. Ne kemi bërë strategji për të arritur në vizionin për 2030. Shtyllat apo kolonat kryesore për të cilat ka nevojë futbolli shqiptar. Ajo çka do futbolli vazhdon të mbetet infrastruktura. Një deficit, si kualiteti. Kategoritë elitare janë të pranueshme në kushte, por të tjerat çedojnë. Duhet një inventar të madh. Pa fushë nuk mund të bësh, pa trajnerë nuk mund të bësh. Pa edukimin e aktorëve që duhet të edukojnë fëmijët. Infrastruktura ka ende mundësi përmirësimi. Strategjia për të ardhmen është edhe sa fusha duhet të bëjmë dhe sa duhet të bëjë Shqipëria, apo pasardhësit, deri në 2030. Duam të rikonstruktojmë të gjitha ambientet e Superiores dhe Kategorisë së Parë, për të qenë të licencueshme. Të përfundojë ndriçimi në stadiumet e Kategorisë Superiore, pra të luhet në çdo orë. Fusha për fëmijët, me mbjellje. Të ndërtojmë disa fusha për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Edukimi është i rëndësishëm, ai që i duhet fëmijëve. Kemi bërë shkollën e trajnerëve nga niveli A në nivelin C dhe njihet në çdo vend të botës. Jemi shkolla më e mirë në Ballkan për trajnerë, por nuk e kemi për profesione të tjera dhe asistentë për të ndërtuar futbollin siç duhet. Nuk kemi edukim profilik për trajnerë portierësh apo edhe fizioterapistë. Duhet bashkëpunim mes ministrisë dhe federatës. Të ndalemi te arbitrat. Kemi nisur Akademinë në vitin 2017 për të rritur nivelin e arbitrimit bashkë me atë të futbollit. Masivizimi i futbollit dhe përçimi i idesë dhe dashurisë është objektiv tjetër shumë i rëndësishëm. Kemi nisur projektin “Grow”, pra rritje. Presim të nënshkruajmë marrëveshje me Ministrinë që çdo fëmijë të luajë futboll.
Në garë me deputet për një mandat tjetër. Ju pëlqen gara me politikën, apo mendoni se ndryshimet mund t’i bëjë vetë politika dhe asgjë tjetër?
Nuk do të më pëlqente që në futboll të bëja garë më politikën. Nuk isha shkaktari apo drejtuesi i debateve. Kam natyrë konsensuale, mundohem të krijoj raporte konkrete me politikën dhe qeverinë, për t’i kthyer në benefite. Fakti që politikanë kanë cenuar pavarësinë e një institucioni apo duan të drejtojnë këtë institucion nuk më pëlqen. Por, do doja ta konsideroja siç e konsideroj, pra garë sportive. Ta ndaj Bashkimin nga politika. Por, sapo dal nuk më lënë opinionet jashtë. Nuk më intereson dhe nuk jam natyre qaramane, do të konkurroj me Finon jo si deputet, por emër. Do të loboj nëse Partia në pushtet do të merret ose jo. Kam keqardhje që vërtet politika do të hyjë në sport, nuk do të doja. Do të doja që shumë njerëz të sportit të konkurronit. Duka kritikohet dhe nuk është se nuk ka bërë gabime. Drejton një aktivitet kaq të larmishëm dhe vështirë të mbahen ekuilibrat. Uroj të jetë garë sportive. Në 3 ditë, nuk po shoh fair-play.
Fino nuk ka hequr dorë nga mandati si deputet…
Do të kisha dashur që të hiqte dorë nga mandati, pasi kjo cenon figurën e tij, ndërsa unë do të bëj garën time. E përsëris, nëse do ta kishte bërë, natyrisht që mund të mos kishte asnjë lidhje me debatin politik.