Pas Malotës dhe Vilës, gjen ekip edhe i larguari i fundit nga Partizani në fillim të janarit, sepse Gëzim Krasniqi ka firmosur për Rabotniçkin, duke nisur një aventurë të re në kampionatin maqedonas.
Mbrojtësi 28-vjeçari (festoi ditëlindjen më 5 janar, në ditët kur e larguan) e vuajti shumë largimin nga Partizani, duke mos e fshehur zhgënjimin dhe duke akuzuar trajnerin Starova për vendimin e bujshëm. Gjithsesi, Krasniqi u bë objekt dëshirash për disa klube të Kategorisë Superiore, pasi është lojtar me eksperiencë të madhe në Superiore.
Pas disa ditësh në pritje, mbrojtësi ka preferuar një eksperiencë jashtë Shqipërisë, duke u larguar për herë të parë nga Superiorja.
Krasniqi e ka nisur karrierën si futbollist me Besën, në qytetin e tij të lindjes Kavajë, por ka qenë për 6 muaj edhe te Flamurtari në sezonin 2014-2015, ndërsa të Partizani ka luajtur për shumë vite dhe konsiderohej një senator.
Rabotniçki është mjaft i lidhur me Superioren, pasi ka marrë e dhënë disa lojtarë kohët e fundit, me disa shkëmbime me Skënderbeun.