Partizani siguron Zguron, Çinari gjithnjë e më larg

Të kuqtë kanë siguruar mbrojtësin e Luftëtarit. Kotobelli drejt largimit. Shkodrani i Vllaznisë duket i “paprekshëm” edhe këtë janar

Merkatoja e Partizanit në janar po përballet me ulje ngritje të forta. Sigurimi i lojtarëve të duhur dhe analizimi i tyre po i ha shumë kohë “demave”. Kryeqytetasit kanë hezituar në disa raste, ndërsa kanë vepruar si duhet në raste të tjera.
Emri i fundit që është vetëm një hap veshjes si i kuq është Vangjel Zguro. Mbrojtësi i Luftëtarit do të ndërrojë ambient dhe nga Gjirokastra me shumë mundësi do të shkojë në kryeqytet. Zërat për afrimin e tij kanë qarkulluar prej ditësh, ndërsa duket se më në fund marrëveshja është drejt zyrtarizimit.
24-vjeçari është dakord me klubin e Partizanit dhe dëshira e tij është të ndryshojë ambient. Ai pret vetëm arritjen e marrëveshjes ndërmjet klubit të “demave” dhe Luftëtarit.

ZGURO – Mbrojtësi duket se do të vishet i kuq pa humbur kohë dhe do të udhëtojë me skuadrën drejt fazës përgatitore. Ai duhet të vihet sa më parë nën urdhrat e trajnerit të Partizanit, Sulejman Starova dhe të përshtatet me grupin. Për arritjen e marrëveshjes ka ndikuar marrëdhënia e mirë e dy presidentëve të klubeve respektive. Gaz Demi dhe Grigor Tavo janë miq mjaft të mirë dhe kjo ka ndikuar edhe në bisedimet mes klubeve. Gjirokastritët kërkonin fillimisht 15 mijë euro, ndërsa “demat” ofronin vetëm 5 mijë euro. Pas bisedimeve mes palëve duket se marrëveshja është mbyllur me sukses. Bisedimet e Partizanit dhe Luftëtarit kanë zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

KOTOBELLI – Zguro luan në krahun e majtë. Në atë pozicion, Partizani ka Kalarin dhe Kotobellin. I pari është titullar, ndërsa i dyti u afrua si i tillë. Mbrojtësi i krahut të majtë nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e drejtuesve të klubit dhe rroga e tij e lartë e penalizon. Kalari shihet si titullar, ndërsa ardhja e Zguros penalizon Kotobellin. Drejtuesit po mendojnë largimin e tij nga skuadra e kuqe. Lojtari është vendosur në shënjestër për shkak të pagës së tij të lartë.

ÇINARI – Një tjetër objektiv në merkaton e janarit është edhe mesfushori me tipare të avancuara, Erald Çinari. Futbollisti i Vllaznisë është një dëshirë e vjetër e të kuqve. Pista e tij nuk është zbehur krejtësisht, por palët duken më larg se afër. 21-vjeçari nuk ka pasur kontakte të tjera me drejtuesit kryeqytetas dhe me shumë mundësi do të niset drejt Ulqinit me ekipin shkodran. Në rast se mesfushori udhëton me shkodranët dhe nuk afrohet me drejtuesit e kuq atëherë shanset që të vishet i kuq janë të pakta. Nga ana tjetër, vështirësi për të arritur te futbollisti është edhe kontrata e mesfushorit me Vllazninë. Shkodranët nuk duan ta humbasin Çinarin dhe nuk i japin letrat për largimin e tij. Partizani nuk ka ndërmend të bëjë sakrifica ekonomike për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *