Në fund të vitit të shkuar Teuta ndërroi trajner, duke larguar Gugash Maganin dhe duke e zëvendësuar me Stavri Nicën. Për pak ditë lojtarët kanë pushuar, por klubi ka hartuar strategjinë e merkatos, duke e pasur të qartë se duhen përforcime serioze, pas largimit të mesfushorëve Albi Dosti e Nijas Lena dhe mungesës së eksperiencës në skuadër.
Tani zbulohet goditja e parë e klubit durrsak, që thuajse ka mbyllur marrëveshjen me mesfushorin e Lirisë së Prizrenit Ilir Mustafa.
Siç raporton Gazetasheshi.com, Teuta që i ka bërë ftesë futbollistit t’i bashkohet dhe gjasat janë maksimale që Mustafa në pjesën e dytë të sezonit e ri të veshë fanellën e ekipit bregdetar.
21-vjeçari është nga futbollistët më të talentuar në kampionatin e Kosovës dhe ka aftësi mjaft të mira ofensive duke pasur një nuhatje të madhe për gol, sidomos falë gjuajtjeve të sakta nga distanca.
Ndonëse në moshë të re, Mustafa ka dhënë kontribut të madh për Lirinë, ku është bërë lojtar i rëndësishëm, por një kalim në kampionatin shqiptar do të ishte një hap i madh përpara në karrierën e tij.