Në ditën e parë të stërvitjes për këtë javë grupi nuk ka qenë i plotë. Trajneri Ilir Daja nuk ka pasur në dispozicion disa futbollistë, tre prej të cilëve kanë punuar në sallën e forcës. Një program i veçantë për Sabjen Lilajn, Marko Radasin dhe Bajram Jashanicën, tre futbollistët që në momentin kur grupi po i drejtohej fushës, kanë hipur në makinë dhe i janë drejtuar sallës së forcës, që ndodhet në qendër të qytetit. Në fakt, nuk është se ka pasur probleme për këtë treshe lojtarësh, por thjesht nga lodhja e madhe janë përzgjedhur nga trajneri Daja të bëjnë vetëm ushtrime force.
Gjithsesi, nga sot edhe këta lojtarë do të jenë pjesë e grupit për të vijuar normalisht seancat. Dje mungonte Tefik Osmani, korçari që ka kaluar një virozë dhe ndoshta ka kërkuar një ditë më shumë leje. Pritet që sot edhe ai të bashkohet me grupin dhe të jetë gati për ndeshjen e fundit të vitit, atë ndaj Teutës. Me grupin janë bashkuar dje Bruno Dita dhe Gledi Mici, të cilët munguan për arsye dëmtimi dhe pezullimi në ndeshjen e fundit.