Tirana, me tre sulmues ndaj Vllaznisë

Provohen dy formacione për sfidën me shkodranët. Dilemat vazhdojnë në dy reparte, ndërkohë që braziliani “blindon” stërvitjen

Olsi Avdiaj

Tirana bëhet gati për ndeshjen e dytë të Kupës me Vllazninë, ndërkohë që trajneri i saj Ze Maria blindon skuadrën. Skuadra dje ka zhvilluar stërvitjen e radhës pa praninë e mediave. Disa reporterë të pranishëm në “Skënder Halili”, janë larguar nga stafi teknik, pasi sipas bardhebluve, stërvitja do të vazhdojë me dyer të mbyllura në prag të sfidës me shkodranët. Në fakt, skuadra në gjysmën e parë të stërvitjes ka bërë vetëm ushtrime fizike. Më pas, me largimin e medias, trajneri Ze Maria ka vendosur që të ndajë në dy grupe ekipin. Të gjithë rezervat janë veçuar dhe kanë zhvilluar një lojë të thjeshtë larg ekipit të parë. Grupi tjetër i skuadrës ka vazhduar me përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë nën vëzhgimin e Ze Marias dhe ndihmësit të tij Aurelios. Në fillim braziliani ka provuar një formacion me 4-5-1. Duke llogaritur Ilion Likën titullar, Ze Maria ka rreshtuar një skuadër me dyshen e qendrës, Turtulli-Uellison. Krahët ishin të formuar nga Kërçiku e Hoxhallari. Albi Doka që ishte pushim në fundjavë së bashku me Sentamun ishin titullar në formacionin e parë të Ze Marias dhe që nëse zgjidhet ky 11-ësh do të jenë mesfushorë krahësh. Ndërkohë, në qendër të mesfushës luante triada Mauexhe-Daja-Karabeci. Sido që do të shkojë plani i Ze Marias, mesfushorët e qendrës nuk do të ndryshojnë. Në sulm braziliani kishte zgjedhur Bedri Grecën që mesa duket ka fituar fanellën e titullarit.

Pas më shumë se 20 minutash lojë, Ze Maria ka bërë një tjetër ndryshim. Ai ka larguar nga formacioni bazë, Kërçikun. Më pas ka kthyer Dokën në mbrojtje, ka spostuar Grecën në të djathtën e mesfushës dhe në sulm është futur Ngoja. Me të gjitha gjasat kjo do të jetë edhe skuadra që do të luajë nesër në Shkodër. Shkurt, në fushë Tirana do të jenë tre sulmues të deklaruar dhe një sulmues të fshehur. Bëhet fjalë për Ngonë, Grecën, Sentamun, por edhe Karabecin, që luan pas qendërsulmuesit. Duket qartë se Tirana nuk do të luajë në mbrojtje në “Loro Boriçi”, por do të kërkojë të hipotekojë kualifikimin, pa rrezikuar në përmbysje të shkodranëve.

Ndeshja e parë – Tirana mori një revansh të vogël ndaj Vllaznisë pas asaj ndeshje që e zbriti nga kategoria. Bardheblutë fituan 2 – 0 ndaj shkodranëve në takimin e parë të Kupës së Shqipërisë. Golat e Grecës dhe Uellisonit në pjesën e dytë vendosën sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi” më 29 nëntor. Tani Vllaznia do të ketë një detyrë shumë të vështirë për të realizuar të mërkurën, kur do të mundohet të përmbysë këtë rezultat të bardhebluve në takimin në Shkodër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *