Durrsakët synojnë kualifikimin përballë Kamzës të mërkurën, ndërsa kapiteni ende në dyshim për ndeshjen me ish-skuadrën e tij, Kukësin
Me Partizanin durrsakët nuk patën fat, pasi u iku nga duart një pikë e çmuar vetëm në minutat e fundit. Teuta duket se e ka lënë pas krahëve atë fazë të parë dhe tashmë po tregon se është një “kockë e fortë” për çdo kundërshtar, duke bindur me lojën që ka zhvilluar. Kjo javë është mjaft e ngjeshur për “djemtë e detit”, të cilët duhet ta hedhin pas krahëve humbjen me Partizanin. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë punë për të bërë, pasi duhet të japin maksimumin si në ndeshjen e mesjavës me Kamzën, për Kupën e Shqipërisë, ashtu dhe për takimin e javës së 15-të të kampionatit kundër Kukësit, që luhet të dielën. Durrsakët kanë marrë një rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e parë në Kupë me Kamzën, teksa kanë barazuar 1-1 në transfertë, megjithatë duhet të bëjnë shumë kujdes në kthim, pasi vetëm një javë më parë ishte po Kamza që u mori 3 pikët në stadiumin “Niko Dovana”. Fati ishte kundër Teutës në shortin e kupës, sepse u përball me një skuadër të Superiores, ndryshe nga pjesa më e madhe e skuadrave të tjerat elitës, që kundërshtarët i kishin nga Kategoria e Parë. Vëmendja është te ndeshja e së mërkurës dhe natyrshëm kërkohet kualifikimi. Duke parë ecurinë në kampionat, ku durrsakët janë shumë larg zonës europiane, Kupa e Shqipërisë merr vlerësim maksimal, sepse është një mundësi e mirë për të shkuar në Europë. Por për të pasur në dorë një biletë europiane nga ky kompeticion duhet shumë punë.
LENA
Nga ndeshja me Kamzën, tek ajo me Kukësin. Siç pritej, muaji dhjetor do të ishte shumë i ngjeshur, pasi luhen ndeshje të të dy kompeticioneve. Teuta vjen pas dy humbjeve radhazi në kampionat dhe do të kërkojë të kthehet te rezultati pozitiv përballë Kukësit. Edhe pse do të jetë përballë skuadra kampione në “Niko Dovana”, Teuta është e detyruar të kërkojë maksimumin. Për këtë takim i gatshëm do të jetë mesfushori boshnjak Anel Dediç, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Kamzën, por në diskutim është kapiteni Nijas Lena. Strugani është i dëmtuar dhe nuk ishte i pranishëm në ndeshjen me Partizanin, por mund të rikuperohen në kohë për takimin me Kukësin. Lena vjen me statusin e një “ishi”-i përballë Kukësit. Megjithatë, duhet pritur përgjigja përfundimtare nga ana e stafit mjekësor, por edhe e vetë lojtarit, nëse do të jetë në gjendje për të luajtur kundër Kukësit apo jo.