Ashtu si pritej, ndodhi! Një ndeshje basketbolli është kthyer në motiv që policia por edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH) të ndalin atë që mund të kishte qenë një përgjakje dhe madje mund të merrte përmasa shumë të mëdha.
Derbi i basketbollit mes Partizanit dhe Tiranës, që normalisht është duke u zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, por pa tifozë, u kthye në një vendtakimi për tifozerinë e kuqe, “Ultras Guerrils”, e organizuar dhe e veshur me të zeza,ashtu sikurse e kishte paralajmëruar përpara këtij derbi, duke ftuar tifozerinë rivale të prezantoheshin në këtë takim për “larje hesapesh”.
https://www.facebook.com/108601849158800/videos/1725516990800603/
Sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres”, nga raportimi në vend, teksa koha kalonte dhe tifozeria e Tiranës nuk është dukur përpara ndeshjes, ka mbërritur në vend policia dhe FNSH, duke bërë një kontroll dhe duke i kërkuar tifozerisë së kuqe kartat e identitetit përpara se të futeshin në pallat sporti.
Duke refuzuar për të dorëzuar kartat, ndoshta edhe nga frika e shoqërimit në komisariat, Ultras Guerrils nuk kanë hyrë në pallat, ndërsa me vete ishin pajisur me shkopa bejsbolli, bomba molotov por edhe shufra hekuri…
Të gjitha këto, për të përgatitur përplasjen me tifozerinë rivale, “Tirona Fanatics”, që pjesa më e madhe ka qenë e impenjuar në Fushë Krujë për sfidën mes Ilirisë dhe Tiranës, ku gjithashtu ka pasur incidente.
https://www.facebook.com/108601849158800/videos/1725513080800994/
Kështu, teksa janë prezantuar pak përpara fillimit, tifozët e Tiranës gjithashtu kanë refuzuar të paraqesin kartat e identitetit dhe policia nuk i ka lënë të futen në pallatin e sportit, ndërsa ka qëndruar aty duke krijuar një barrikadë dhe me autokolona.
Sakaq, klubi i basketbollit të Tiranës, nëpërmjet një postimi në Facebook, deklaron se zv.trajneri i ekipit, është shoqëruar në komisariat, pa arsye. Ndërsa, 4 lojtarë kanë mbetur jashtë Asllan Rusit për 20 minuta, pa ndonjë arsye. Ja postimi i KB Tiranës.
Aktualisht, ndeshja e basketbollit mes Partizanit dhe Tiranës u zhvillua normalisht, teksa përveç disa familjarëve që mundën të hyjnë, policia është ajo që shfaqet në fotografinë që ka shkrepur “Sport Ekspres”…
Për sa i përket ndeshjes, pas pjesës së parë të ekuilibruar, në pjesën e dytë, Tirana u shkëput deri në 30 pikë. Në fund, bardheblutë fituan 80-52, pas humbjes në tavolinë që morën në derbin e parë, 0-20, pas incidenteve të tifozëve.