Mesfushori i Kastriotit vlerëson kundërshtarin e radhës pavarësisht se ndodhet në vendin e fundit në klasifikim
Bujar Balliu
Kastrioti deri më tani nuk njeh asnjë hap fals dhe ndaj Burrelit në Krujë synimi i vetëm janë tre pikët. Para këtij takimit për mediat ka folur mesfushori Xhynejt Çutra, i cili e vlerëson kundërshtarin dhe kërkon që të mos shikohet pozicioni në tabelë i tyre. 29-vjeçari, që ka provuar të luajë më parë në Superiore me Shkumbinin, Apoloninë dhe Bylisin, kërkon që deri në fund të kësaj faze Kastrioti ta thellojë edhe më shumë diferencën me ndjekësit.
Faza e dytë nis me Burrelin, si e prisni këtë takim?
- Do e vlerësojmë maksimalisht si çdo ndeshje. Pavarësisht pozicionit ku renditet ekipi i Burrelit, do të jetë një ndeshje e vështirë.
Keni mbyllur një fazë të parë me +8 pikë, a do vazhdoni me të njëjtin ritëm edhe në fazën e dytë?
- Shpresojmë shumë ta thellojmë më shumë diferencën me ndjekësit, pasi në fazë të tretë përgjysmohen pikët. Do ishte një siguri më shumë për ne, që në fund të realizojmë objektivin për t’u rikthyer në Superiore.
Jeni përballur me të gjitha ekipet, kë shihni si rivalin tuaj kryesor?
- Po them se janë Besëlidhja dhe Egnatia, por nuk duhet përjashtuar edhe Besa me Erzenin, pasi vetë formula i favorizon.
Jeni një mesfushor që keni shënuar shumë gola, si ndiheni kur shënoni gola me peshën e tri pikëve sidomos?
- Çdo lojtar kur shënon ndihet mirë, por unë ndihem më mirë kur fiton ekipi dhe arrihet objektivi. Kur ndodh me golin tim, sigurisht që edhe kënaqësia është më e madhe.
Rrugëtimi drejt Superiores po ecën mirë, por a ka Çutra një objektiv personal këtë sezon?
- Objektivi im personal është të ndihmoj ekipin me perfomancë të lartë dhe me gola
Së fundi, keni arritur të bindni tifozerinë të rikthehet në stadium, si ndiheni pas rikthimit të tyre?
- Ato janë lojtari jonë i 12-të. Mbështetja e tyre na ka dhënë një marsh më shumë dhe sot jemi këtu, duke kryesuar bindshëm.