Mungon Taku, Kërnaja: Koha për fitoren e parë në Pukë

Tërbuni pret sot në mesditë Besëlidhjen dhe është një ndeshje e rëndësisë së veçantë për pukjanët, që nuk humbasin prej 3 ndeshjesh dhe janë futur në shinat e duhura, por ende nuk kanë fituar në kampionat në ndeshjet shtëpiake, duke regjistruar tre barazime e një humbje. Megjithatë, drejtori sportiv Oltijon Kërnaja është i bindur se momenti i fitores së parë shtëpiake ka ardhur: “Do të luajmë vetëm për fitore, është momenti për të synuar diçka më shumë dhe për të kapur 5 vendet e para në renditje. Kontingjenti i lojtarëve është mjaft cilësor dhe duhet të shkojë shumë lart në renditje. Fillimi ka qenë i vështirë edhe për faktin se skuadra ka qenë e ndërtuar thuajse nga e para, por në ndeshjet fundit ka treguar se është në rritje të vazhdueshme dhe duke parë diferencat e vogla mes skuadrave, jemi të bindur se mund të fitojmë ndaj çdo rivali, edhe më të fortë se Besëlidhja. Fizikisht skuadra është në formë mjaft të mirë, ashtu si edhe psikologjikisht, sepse nuk i ka munguar asgjë, duke përfshirë anën financiare, duke qenë se sapo është dhënë edhe paga e muajit dhjetor. Për këtë falënderojmë Kryetarin e Bashkisë, i cili i ka qëndruar shumë pranë ekipit, duke i plotësuar çdo nevojë”.

Për ndeshjen e sotme Tërbuni është pa sulmuesin Florind Taku, autor i dy golave këtë sezon, i cili vuan nga një dëmtim pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit.

Lani: Me këtë formë, Besëlidhja ia del

Besëlidhja i ka dhënë fund përgatitjeve për transfertën ndaj Tërbunit. Pas mbylljes së seancës së fundit stërvitore lezhjanët udhëtuan drejt Pukës në pritje të sfidë së sotme. Trajneri Gledis Lani, në prononcimin e tij për “Sport Ekspres”, u shpreh: “Duke shfrytëzuar pushimin e javës së shkuar, punuam me intensitet të lartë për të rikuperuar forcat që kishim shkarkuar në ndeshjen ndaj Skënderbeut për Kupë. Tani skuadra është në parametrat e duhur nga të gjitha pikëpamjet, ndaj jemi plotësisht të gatshëm për ta përballuar sfidën në Pukë ndaj Tërbunit. Gjatë gjithë kohës që kemi pasur në dispozicion jemi munduar për të zhvilluar një stërvitje racionale dhe të diferencuar për disa sektorë dhe individë, që kemi menduar se nuk janë në lartësinë e duhur. Besoj se ia kemi arritur qëllimit për ta bërë skuadrën solide. Ne si skuadër pretendente dhe që aktualisht jemi në vend të dytë, normalisht që në Pukë do të luftojmë për fitore dhe shpresoj se me këtë përgatitje që ka skuadra do ia dalim. Gjithsesi gjithçka do ta vendosë përballja direkte në fushën e blertë. Nga skuadra kërkoj që ato veprime që i ka kryer shumë mirë në stërvitje t’i aplikojë edhe në ndeshjen ndaj Tërbunit me grintë”. 

Formacionet e mundshme

Tërbuni: Rexhepi, Shytani, Beci, Balaj, Prendi, Pepa, Mezini, Saliaj, Shaba, Nimani, Hoxha

Besëlidhja: Bajri, Vocaj, Dibra, Dore, Ndreca, I. Kamara, Hepaj, Konte, O. Kamara, Frroku, Ajazi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *