Pasi ka thyer Romën dhe ka barazuar me Napolin, Interi pritet të kalojë provimin përfundimtar këtë fundjavë. Në ndeshjen më të rëndësishme, skuadra e Spaletit arrin të shohë poshtë Juventusin. Me vetëdijen e ballafaqimit të kthimit me bardhezinjtë në “San Siro”, zikaltrit kanë nisur të besojnë edhe te titulli.
Trajneri duke folur në prag të transfertës torineze, ka nënvizuar: “Tani kemi një identitet të saktë, në të cilin mund të vazhdojmë të punojmë për të arritur qëllimet tona. Na duhet të akumulojmë shumë pikë për të bërë këtë, për shkak se në garë janë edhe të tjerët. Nuk po shkojmë për të provuar veten në Torino, as për të parë se çfarë ekipi jemi. Ne i dimë këto tashmë dhe jemi të sigurt për cilësitë tona. Shkojmë për të luajtur futboll të bukur dhe për të marrë tri pikë.
“Ne nuk do të luajmë me të tretët në renditje, por kundër skuadrës që fitoi gjashtë kampionatet e fundit dhe arriti dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve. Atëherë do të jetë fusha, që do të tregojë nëse mund të konkurrojmë kundër një ekipi të fortë si Juve. Sigurisht duhet të gjejmë veten më të gatshëm së kurrë, me karakter, personalitet dhe autoritet. Duhet të kemi reagime të forta ndaj gjithçkaje që propozojmë. Duhet të punojnë gjithmonë në një mënyrë serioze, por kjo nuk është një lojë që ka nevojë për të ndryshuar mendimet dhe objektivat.
“Nëse duhet t’i përmbledh mendimet e mia me një fjalë? Ne i kemi të gjitha cilësitë për ta luajtur këtë ndeshje dhe marrë rezultat maksimal. Ajo që më entuziasmon është dëshira e lojtarëve për të qenë në nivelin e ndjenjës që përjetojnë tifozët tanë. Bëhet fjalë për Derbin e Italisë, por duam të ruajmë qartësinë e të mos ngarkohemi shumë. Vlerësimet janë të lehta për t’u bërë, kemi një mesfushë të fortë dhe shpresoj që zgjedhjet të jenë të duhurat. Nuk kemi nevojë të shpikin ndonjë gjë, por të ndjekin rrugën tonë. Gjendja fizikë mund të jetë një faktor, sepse bardhezinjtë janë shumë të mirë në topat pasivë”.