Dejvi Bregu është ëndrra e Flamurtarit në janar dhe Sinan Idrizi ka vendosur të kthejë në Vlorë talentin më të madh vlonjat të dekadës së fundit,me kërkesën e trajnerit Shpëtim Duro.
Iku nga Vlora për të luajtur me shumë dhe në Gjirokastër është kthyer në mbret, duke u rritur jashtëzakonisht si futbollist. Gola e sidomos shumë asiste, Bregu tashmë është në shënjestrën e klubeve kryesore shqiptare dhe ka pasur interesim edhe nga klube të huaja. Megjithatë, në Vlorë është shtëpia dhe zemra e tij, Dejvi nuk e ka fshehur kurrë.
Të hënën i shënoi Flamurtarit dhe Shpëtim Duro u bind edhe me shumë se Bregu është ai që i duhet, aq më shumë që Bushiç ka nevojë për pasime dhe Flamurtari për një shënues e një lojtar nga ata që të mbush stadiumin.
Bisedimet kanë nisur, mëson Sport Ekspres, ndërsa Flamurtari e josh Luftëtarin me disa lojtarë në këmbim, për të përfituar të gjitha palët, sepse Luftëtarit i duhen urgjentisht përforcime edhe në mbrojtje.
Bregu dëshiron të ecë përpara në karrierë, është koha të hedhë një hap më lart dhe e do edhe Skënderbeu, apo edhe Partizani, por Flamurtarit nuk i thotë “jo”, nëse arrihet marrëveshja mes klubeve. Janari do të jetë i nxehtë, nëse Flamurtari mbyll këtë operacion, bëhet i frikshëm. Duro e ka thënë fjalën e tij, topi i kalon Bregut.