Testohet formacioni anti-Flamurtari, priten lëvizje në emra dhe pozicione. Mbrojtja plotësohet, ndërkohë që stafi teknik kërkon të mos ndihen inferiorë ndaj vlonjatëve
Gaspër Marku
Vllaznia vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Flamurtarin, një sfidë kjo që konsiderohet shumë e rëndësishme për kuqeblutë, por njëkohësisht edhe shumë e vështirë, pasi përballë është një nga skuadrat që radhitet krah ekipeve më të mira të Superiores. Nëse në përballjet e sezoneve të fundit lufta mes këtyre dy ekipeve ka qenë për zonën e mbijetesës, tashmë gjërat kanë ndryshuar. Kjo në fakt në anën e vlonjatëve, që me rezultatet pozitive të arritura gjatë javëve të mëparshme, synojnë kupat e Europës. Te kuqeblutë vazhdon të jetë ajo situatë që ka qenë edhe në sezonet e mëparshme. Megjithatë, edhe pse në të tilla pozita, njëra për Europë dhe tjetra për mbijetese, kjo nuk do t’i pengojë aspak shkodranët që të luftojnë si të barabartë në fushën e lojës. Një gjë të tillë është duke u përpjekur që t’ia ushqejë futbollistëve të tij edhe tekniku Gjoka, i cili u ka kërkuar të besuarve të tij të luajnë si të barabartë në fushën e lojës, pasi sipas për nga emrat dhe kualitetet që ka në dispozicion nuk duhet të ndjehet aspak inferior përballë kundërshtarit. Një gjë të tillë Gjoka është parë ta reflektojë edhe në seancën e djeshme. Falë edhe një moti shumë të mirë, skuadra ka pasur mundësitë ideale t’i konsumojë në mënyrën më të mirë minutat e programuara për seancën e djeshme. Ajo që e ka ngrohur më shumë teknikun është lajmi i mirë që i vjen nga infermieria. Ndërkohë që Pjeshka vijon të jetë i dëmtuar, Marku, edhe pse rikuperimi i tij nuk është në masën e plotë, pas konsultës me stafin mjekësor ka vendosur të sakrifikojë për skuadrën, duke u vënë në dispozicion të trajnerit Gjoka për ndeshjen me Flamurtarin, veprim që realisht nuk është hera e parë që e ndërmerr. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë “OK”, me përjashtim të ndonjë shqetësimi kalimtar të Bardullës dhe Atsinës, që në minutat e fundit të seancës u është rekomanduar nga stafi mjekësor të bëjnë pak pushim për t’u rikthyer përsëri me grupin sot.
FORMACIONI
Përsa i përket formacionit, duket se me ndonjë përjashtim të vogël, kryesisht në mesfushë dhe sulm, pritet të jetë po ai i ndeshjes së kaluar me Laçin. Për t’u theksuar është se stafi teknik do të vijojë t’i besojë sërishmi portierit të ri Alen Sherri. Pavarësisht ndonjë luhatje të vogël në ndeshjen e kaluar, kryesisht në momentin e shkaktimit të penalltisë, në adresë të tij janë përcjellë opinione pozitive. Për të qenë sa më i bindur dhe i saktë në vendimmarrjen ndaj aktivizimit të Sherrit, tekniku Gjoka pati rekomanduar kolegun e tij Alfred Osmani, që ta ndjekë ecurinë e Sherrit jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshjet e kampionatit të Kategorisë së Parë me Vllazninë B. Ajo që duket se ka ndikuar më shumë në votëbesimin ndaj tij, janë dy ndeshjet e fundit, ajo në kupë me Tiranen dhe më pas për kampionat me Laçin. Ndërkohë, sa i përket repartit të mbrojtjes, falë një përmirësimi të Markut, pritet të vijohet po me atë katërshe, Gocaj, Orelesi, Marku dhe Gurishta. Ndryshimet pritet të jenë kryesisht në mesfushë, ku rikthehen dyshja Tafili-Krymi, të cilët pas rikuperimit të plotë të tyre do të jenë që të dy në njëmbëdhjetëshin e parë, duke pasur përkrah Vucajn. Ndryshim në emra pritet përpara, teksa ganezin Çarles Atsina në majë të sulmit do e mbështesë kapiteni Gilman Lika dhe Edon Hasani, ndërkohë që nga stoli do e nisë Erald Çinari.