Milinkoviç: Unë vendos për çdo gjë, Halili çështje e mbyllur

Trajneri serb: Unë respektoj të gjitha vendimet e presidentit Gjici, do afrojmë vetëm lojtarë që do të bëjnë diferencën

Vladimir Prenga

Kukësi po kalon një moment të vështirë, megjithatë kjo gjë nuk e ka penguar trajnerin Mlladen Milinkoviç që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Lushnjen. Tekniku serb ka prekur disa tema delikate, duke nisur që nga përplasja me menaxherin Naim Halili, por dhe te raportet me presidentin, merkaton dhe të ardhmen. Milinkoviç mohon që të ketë pasur debate me Halilin, ndërkohë dhe një herë konfirmon se ai dhe presidenti Gjici kanë një “lidhje” shumë të fortë mes tyre.
Kundërshtari i radhës është Lushnja, si e prisni këtë takim?
Duam që të kthehemi te fitoret dhe po i kushtojmë një rëndësi të madhe ndeshjes me Lushnjen. Besoj se ekipi do të luajë mirë dhe do të paraqitet mirë që të marrë fitoren, për të pasur qetësinë për vazhdimësinë.
Synohen pikë të plota në tre ndeshjet e ardhshme, sa të arritshëm e shihni këtë objektiv, duke parë dhe kundërshtarët?
Ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet, që të qëndrojmë afër kreut dhe të mos dalim jashtë objektivit titull, pasi besojmë se mund ta arrijmë sërish. Në fund të fazës së parë ishim në të njëjtën situatë, por e shkurtuam një herë dhe ekziston mundësia që mund ta ngushtojmë sërish.
Është folur për një debat të ashpër mes jush dhe menaxherit Halili, si është e vërteta?
Kjo është një çështje që unë e konsideroj të mbyllur. Për këtë çështje do të vendosë klubi, për sa i përket shpifjeve. Unë me Halilin nuk kemi pasur asnjë kontradiktë, për sa i përket gjërave që janë shkruar. Marrëdhëniet tona ishin normale, siç duhet të jenë të një drejtori teknik dhe një trajneri. Më bën përshtypje si dolën këto gjëra të pavërteta. Mua te presidenti Safet Gjici më ka prezantuar Halili. Si ka mundësi që ai të më prezantojë te presidenti dhe më pas të thotë ato gjëra.
Keni nisur të mendoni për merkaton?
Përqendrimi ynë është te ndeshja me Lushnjen, më pas mendojmë për takimin e Kupës me Erzenin dhe më pas për Teutën e Luftëtarin. Jemi të preokupuar për këto ndeshje, kemi kohë të mendojmë për merkaton. Natyrisht që mendojmë për disa lojtarë, por duam që atë hap ta bëjmë të saktë.
Megjithatë, një lojtar i ri është bashkuar me ekipin, mund të themi se ju i keni marrë në dorë “frenat” e merkatos?
E thash dhe më parë që jemi të përqendruar te ndeshjet e ardhshme, por kjo nuk do të thotë që nuk shohim edhe lojtarët që na interesojmë. Do të jetë një merkato e suksesshme. Nëse vijnë vetëm dy lojtarë i duam që të jenë të dy të suksesshëm, nëse vinë katër duam që të jenë të katërt të suksesshëm. Nuk lejohet që të jenë lojtarë që nuk do të bëjnë diferencën. Duam të jemi shumë të kujdesshëm, pasi dhe këto që kemi aktualisht janë futbollistë shumë të mirë, por mbase nuk po ambientohen kollaj me lojën e Kukësit ose me ekipin në përgjithësi.
Nëse nuk grumbullohen pikët e plota, do e rishihni pozitën tuaj?
E kam thënë dhe më parë, kam një marrëdhënie shumë korrekte me presidentin. Çfarëdo lloj vendimi që do të marrë presidenti unë do e respektoj. Më ka mbështetur vazhdimisht dhe çdo vendim të tij unë do e respektoj në maksimum. Të them të vërtetën, ndihem shumë keq për këto rezultate, pasi është një zhgënjim për presidentin. Donim rezultate të mira që dhe ai të ishte i kënaqur nga puna jonë, pasi na ka mbështetur në të gjitha aspektet, ndaj ndihem shumë keq.
A jeni të qetë ju dhe skuadra në punën tuaj?
Në momentet që ekipi nuk ka ecurinë e duhur, nuk mund të jesh i qetë në ndërgjegje. Nuk është vetëm te Kukësi apo te unë si trajner, por te të gjitha skuadrat. Kur nuk ka rezultate nuk mund të jesh i qetë. Kur ke rezultate të mira, atëherë atmosfera është pozitive.
Thoni që keni marrëdhënie të mira me presidentin, por a ka ndikuar ndonjëherë ai te ju?
Kemi marrëdhënie korrekte, pasi asnjëherë nuk ka ndërhyrë te unë, por dhe në të shkuarën më kanë thënë që kjo gjë nuk ka ndodhur. Kjo është një nga arsyet që e respektoj kaq shumë. Ai gjithmonë interesohet për lojtarët, ne takohemi shpejt. Nuk ka ndërhyrje asnjëherë për ato që do të luaj apo zëvendësohet. Pas analizave pyet për taktikat apo cili ishte synimi në këtë ndeshje.
Si e shpjegoni faktin që Alla ka përfunduar në stol pas kritikave që Gjici bëri për të pas Flamurtari, ndërsa kjo ndodhi edhe me Hallaçin pas ndeshjes me Kamzën?
Sa i përket Allës, edhe para ndeshjes me Flamurtarin u tha që gaboi dhe luajti, edhe me Kamzën e sqaruam se pse nuk luan. Me Partizanin luajti sërish, pasi Partizani nuk kishte një qendërsulmues të fortë e na duhej një qendërmbrojtës elastik. Ne formacionin e bëjmë në bazë të asaj që lojtarët japin në stërvitje dhe çfarë mendojmë ne se mund të japë më shumë në një ndeshje të caktuar. Besoj se çdo trajner është përgjegjës për ata lojtarë që hedh në fushën e lojës. Nuk besoj se ka një trajner që dëgjon dikë tjetër për lojtarët që do të aktivizojë, pasi luhet koka e tij. Ai që bën formacionin mban dhe përgjegjësinë. Deri më tani në karrierën time kam vendosur gjithmonë se kush do të luajë dhe kam mbajtur përgjegjësinë. Asnjëherë nuk e kam hedhur fajin te të tjerët. Unë zgjedh taktikën, unë përgatis lojtarët, unë përcaktoj se kush do të luajë dhe unë mbaj dhe përgjegjësinë.
Skuadra është gjobitur, por lojtarët kanë qenë kundër këtij vendimi. Sa mund të ndikojë kjo te paraqitja e tyre ndaj Lushnjes?
Lojtarët janë stërvitur mirë dhe janë mjaft të përqendruar te ndeshja me Lushnjen. Nuk mund të flas për gjërat e tjera. Nëse lojtarët do të jenë gati edhe nga ana psikologjike dhe fizike, atëherë duhet të jemi të përqendruar, të bëjmë lojë të mirë dhe të fitojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *