“Djajtë e kuq” nuk kanë hasur probleme të mëdha dhe kualifikohen si të parët në grup. Taulant Xhaka me Bazelin kualifikim madhështor në Lisbonë
Mançester Junajtid dhe Bazeli i Taulant Xhakës janë dy skuadrat e grupit A që janë kualifikuar për në 16 më të mirat në Ligën e Kampioneve. “Djajtë e kuq” kanë mundur me përmbysje CSKA-në e Moskës, duke siguruar dhe vendin e parë në grup teksa Bazeli ka bërë mrekullinë duke fituar në Lisbonë dhe siguruar një biletë për më tej. Mesfushori kuqei ka qenë në fushë dhe është ndëshkuar dhe me karton të verdhë. Por pak rëndësi ka, sepse Bazeli e ka arritur objektivin për të shkuar më tej. CSKA-ja e Moskës përfundon në Ligën e Evropës.
Junajtid fitore me përmbysje – Mançester Junajtid ka zbritur në fushë me qartësinë se kualifikimi nuk do të ishte problem, me përjashtim të ndonjë apokalipsi. Madje as kur rezultati ka qenë 0-1 për rusët, Murinjo nuk ka shfaqur shenja nervozizmi. Edhe kështu Junajtid ka qenë i kualifikuar dhe i pari në grup. Por avantazhi në fundin e pjesës së parë nga rusët me Alan Dzagojev ka qenë si të godisje dikë me vezë në fytyrë. Mançesteri e kishte dominuar takimin deri në atë çast, por si për surprizë kanë qenë miqtë që kanë kaluar përpara (43’). Në pjesën Mançesteri ka shtuar rimtin e lojës dhe në harkun e 66 sekondave, fillimisht Lukaku ka barazuar shifrat dhe më pas Rashford i ka dhënë epërsinë “Djajve të kuq”. Pas golit takimi ka rënë në qetësi dhe për skuadrën e Murinjos gjithçka ka qenë një stërvitore e mirë për derbin me Mançester Sitin të dielën e ardhshme.
Edhe Xhaka në tetëshe – Bazeli është skuadra tjetër në grupin A që ka siguruar biletën për në 1/8 e finaleve në Champions. Skuadra e Taulant Xhakës nuk e ka humbur rastin për të shkruar një tjetër arritje në historinë e vet, teksa ka fituar në Lisbonë përballë Benfikës pa objektiva 2-0. Bazeli nuk ka pritur shumë për të dhënë një sinjal të qartë se nuk do të lëshonte kualifikimin për në 1/8 e finaleve në Champions. Që në minutën e pestë helvetët kanë kaluar përpara falë Mohamed Elionusit. Benfika është munduar të reagojë, por portugezët të eliminuar nga Chamions dhe nga Liga e Evropës nuk kanë menduar të shpenzojnë energji të shumta, duke ruajtur forcat për në kampionatin vendas. Situata është turbulluar disi për Bazelin pasi Dzagojev ka kaluar përpara CSKA-në në “Old Trafford”. Por vetëm kaq, sepse Mançesteri ka përmbysur gjithçka në pjesën e dytë. Teksa vetë Bazeli me 25 minuta nga fundi ka vulosur fitoren falë Dimitri Oberlin. Taulant Xhaka ka luajtur për 90 minuta në këtë takim, duke u ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e nëntë.