Jo pa shkak është konsideruar një Rilindje. Një lloj qasje me politikën e kuqe. Vëllai i kryeministrit Edi Rama kish kohë pa u ulur në një bankë shkolle. Për momentin po ndjek leksionet për drejtor sportiv. Sapo është emëruar drejtor i përgjithshëm i klubit. Në politikë ndoshta nuk e ka ambicien e vëllait, ndërsa në futboll ka ambicien të rikthejë Partizanin te titulli kampion. Politika dhe sporti nuk duhen ngatërruar dhe familja Rama për hir të së vërtetës nuk e ka bërë një gjë të tillë. Asnjë titull e asnjë kupë e fituar në këto vite janë tregues i qartë që ata nuk e kanë shfrytëzuar sfondin dhe pushtetin politik për të arritur te suksesi. Në realitete lokale apo vende të vogla, përfshirja e vëllait të kryeministrit në një projekt sportiv do kishte mjaftuar që klubi në fjalë të kishte ndonjë favor më shumë. Ata nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë.
Rikthimi i Starovës në pankinë ka sjellë një tjetër frymë. Një lloj rilindje sportive brenda një grupi lojtarësh që për hir të së vërtetës të ngjajnë si të konsumuar, në një cikël që deri tani thjesht i ka parë sfidantë dhe jo fitues. Megjithatë, në këto javë diçka është bërë. 7 pikë, fitore në Kukës dhe barazim me Skënderbeun, lojë më e mbledhur dhe më shumë vetëbesim. Starova e mori drejtimin në kohën dhe vendin e duhur. Polemikat mënjanë, nëse dëshiron të grindesh mund t’i kujtosh deklaratat që bëri për stafin italian. Të shkuara, të harruara. Ajo çka habit në këtë rikthim është stili. Starova nuk ka asnjë faj, është aty për t’i shërbyer punëdhënësit dhe klubit ku ndihet si në shtëpi, por shtëpia tregon që prej kohësh nuk po gjen projektin e duhur sportive. Precedencë ndërkombëtare nuk ka. Në 4 vite i njëjti njeri shfaqet herë si trajner, herë si këshilltar, herë si mik, herë si drejtor sportiv.
Partizani ka vendosur të rilindë, me mungesën e besimit te një projekt italian. Njësoj si partizanët e luftës së dytë botërore. Kur Italia zbarkoi në Shqipëri euforia ishte e madhe. Ata ndërtuan rrugë, ura dhe institucione. Njëherazi, ndërtuan edhe kultin e propagandës. U premtuan shqiptarëve bashkimin dhe Europën. Dy vite më vonë, kur humbën luftën me grekët, shqiptarët filluan të kuptojnë se Italia nuk është ajo që kishim besuar. Dhe dalëngadalë ndjenjat nacionaliste vërshuan, qoftë dhe me një impakt të brendshëm. Mund ta bëjmë dhe vetë, për çfarë na duhen këta?
Njësoj Italia pushtoi në verë Partizanin, por më shumë se vepra, ai projekt kishte fjalë. Kthehemi te forcat tona, të paktën kështu nuk dështojmë.
Për drejtorin Preiti, ditët janë të numëruara. Krishtlindjet do t’i bëjë në Itali pranë familjes ashtu si ka hije, por ka gjasa që atje të kalojë dhe Pashkët e 2018-ës. Një biletë vetëm vajtje, sepse vështirë se do rikthehet. T’i themi gjërat si janë. Preiti nuk jeton me këtë realitet. Pasi pa një ndeshje të Tiranës tha: më pëlqyen Doka dhe Halili. Si mund të thotë drejtori i Partizanit që objektivi i tij është djali i presidentit të Tiranës? E para nuk e merr dot, e dyta, a e di ai çfarë do të thotë t’u ofrosh tifozëve të kuq këtë emër?
I vetmi që mund të shpëtojë nga pushtimi italian është Luçiano Moxhi. Tani duhet t’i themi gjërat si janë. Ai është mik i familjes Rama, shumë pranë presidentit Demi. Gazi – presidenti – mendoi fillimisht që duke afruar Moxhin, pjaca e Partizanit do rritej. Me njëfarë të drejte i besoi përvojës së tij, në ndërtimin e skuadrës, stafit, ecurisë dhe lëvizjeve në merkato. Moxhi me sa duket ka dalë në pension dhe si i thonë fjalës, pleqëri pa vetmi në Shqipëri. “Le të rrijë, se nuk na prish më punë”, mendojnë te Partizani, vetëm se vendimet nuk do i marrë më vetëm ai. “Na mori në qafë, – të thonë në zë – ku e gjeti atë trajner e ata lojtarë?”. Trajneri është Juliano, për momentin komenton tenis në televizionet italiane.
Rilindja e Partizanit duhet tani të rikthejë entuziazmin e presidentit Demi. Në ditëlindjen e portierit Alban Hoxha, Genc Tomorri, njeriu i klubit, e mori në telefon dhe i tha: “Eja, president jemi duke festuar”. “Nuk vij pa u kthyer te suksesi, për momentin nuk kam dëshirë t’iu shoh fare”. Duke rilindur Partizanin, mund të rilindësh dhe Gazin. Olsi, Rama, Sulejman Starova, Edmond Haxhia, Gaz Demi. Moxhi mund të qëndrojë në këndim e tij, me të drejtë fjale, por jo me të drejtë vendimmarrje.