Probleme ligjore për Kristian Panuçin? Siç duket, sipas asaj që shkruan portali “Eduasportin”, trajneri i Shqipërisë, që firmosi më 19 korrik të këtij viti kontratën me FSHF-në për dy vjet dhe 4 muaj si trajner, do të ketë probleme… Kjo për shkak të një kontrate që ai ka pasur me një kompani menaxhimi. Kontrata është firmosur më 1 qershor 2017 mes Panuçit dhe “Infinity Global Sports” dhe ka qenë e vlefshme deri më 30 shtator 2017.
Në bazë të kësaj kontrate të firmosur në Luksemburg (aty ku ka selinë edhe kompania në fjalë), tekniku italian u jep të drejtën përfaqësuesve të “Infinity Global Sports” që të negociojnë për transferimin e Panuçi-t me çdo klub në Evropë, Zvicër (me Sionin konkretisht) dhe me çdo federatë futbolli.
Por, trajneri ka hyrë në negociata private duke neglizhuar atë akord. “Eduasportin” ka mundur të sigurojë këtë kontratë, në një kohë që “Infinity Global Sports” i lind e drejta ta çojë çështjen në organet disiplinore të institucioneve më të rëndësishme të futbollit, por duhet thënë se ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap kundrejt Panuçit.
Madje, portali në fjalë kontaktoi edhe me trajnerin kuqezi, që thekson se nuk ka asnjë problem apo pasojë ligjore: “Po, ekziston kjo kontratë, por ishte e vlefshme vetëm për të negociuar me Sionin. Ju duhet ta dini që një trajner nuk mund të ketë menaxher, por mund të mandatojë dikë për të negociuar me klube apo federata. FSHF-ja më ka kontaktuar direkt dhe kështu nisën negociatat që u mbyllën me firmosjen e kontratës”, – shprehet trajneri, i cili shton. “Gjithsesi, mos kini merak sepse unë jam sqaruar me kompaninë, kështu që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.
Por, siç mund të shikohet në kopjen e publikuar, kompania ka të drejtë ekskluzive të negociojë me çdo klub në Evropë dhe kombëtare. Tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat ligjore të kompanisë, që mund t’i kushtojë një dëmshpërblim të majmë trajnerit.