Nëse Romela Begaj, me dëmtim, ia doli mbanë të fitonte medalje, Erkand Qerimaj u rendit i katërti në botë në stilin e shkëputjes gjatë garës së të shtunës, pasi ngriti 155 kilogramë në provën e parë, duke dështuar në dy të tjerat. Në stilin e shtytjes shkodrani u rendit i 9-ti, pasi ngriti 187 kilogramë, duke e mbyllur i gjashti në dygarësh.
Nuk ishte pozicioni i shpresuar dhe i pritur prej tij, pasi dihet potenciali i Qerimajt, i cili pas garës shpërtheu në Facebook, duke sulmuar sërish federatën, me të cilën ka konflikt prej kohësh.
“Një kile larg medaljes në Botëror, me sa duket nuk ishte dita ime. Por edhe bllokimet muskulore të këmbëve ndikuan. Kështu është kur ekipi ynë kombëtar nuk ka një fizioterapist në Botëror”, shkruan Qerimaj.