Kukësi fluturon me Gurin, dëmtimet një problem

Kampionët në fuqi kanë kaluar pa probleme Erzenin. Guri me një dygolësh, si dhe Koldashi e Peposhi vulosën takimin. Dëmtohet mesfushori malazez

Glen Domi

Kukësi kalon pa problem Erzenin, duke e mundur në shtëpi 1-4 dhe hedh kështu një këmbë në raundin tjetër. Shijakasit luajnë me lojtarët e stolit, po ashtu dhe kuksianet, të cilët u treguan më të qartë në lojën e tyre dhe shënuan shumë shpejt dy herë me Sindrit Gurin, ndërsa në të dytën Koldashi dhe Peposhi plotësuan “pokerin”. Goxha për shijakasit realizoi golin e nderit, kurse sa i takon kualifikimit, duket një çështje e mbyllur, me kampionët që presin të mësojnë pas dy javësh kundërshtarin në fazën çerekfinale.

NDESHJA
Kukësi e tregoi forcën shumë shpejt, që në të 9’, kur Sindrit Guri hapi takimin me golin e shënuar në portën e mbrojtur nga Gjuzi.  Me rinisjen e lojës është mbrojtësi Goxha që mere iniciativën, duke u nisur drejt sulmit. Mbrojtësi gjuan nga distanca dhe portieri Frashëri pret pa probleme. Miqtë nisin një tjetër sulm në minutën e 13-të, protagonist është sërish Guri, i cili gjuan fortë brenda zonës. Këtë radhë tregohet vigjilent portieri Gjuzi, që cili pret bukur. Aksioni vazhdon me Shtubinën, me shkodranin që me portën e boshatisur bën më të vështirën, duke e nxjerrë jashtë topin. Dy minuta më pas Guri dyfishoi shifrat, pas një asisti të Kërkotiç. Me shënimin e dy golave bie niveli i lojës, me kuksianët që menaxhojnë rezultatin, duke qarkulluar topin. Pjesa e parë do të mbyllej me një rast të Erzenit, por mesfushori Troplini nuk ia doli të shënonte dot. 0-2 u mbyll pjesa e parë, ndërsa miqtë do të trefishonin shumë shpejt rezultatin me Koldashin, i cili gjuan me kokë pas krosimit të Rrumbullakut. Ka një përplasje mes tij dhe portierit Gjuzi gjatë aksionit, por goli është i vlefshëm dhe rezultati shkon në 0-3. Erzeni nuk ka shumë forcë edhe pse mundohet të dalë para. Në të 58’ i riu Euxhenjo Troplini ka një rast të mirë shënimi, teksa sulmuesi shërbehet në zonë nga Denis Troplini dhe del para duke kaluar tre mbrojtësit kuksiane, por gjuajtja e tij është e dobët. Kuksianët detyrohen që prej minutës së 64-t ta vazhdojnë lojën me 10 lojtarë, pasi mesfushori Kërkotiç detyrohet të dalë nga loja i dëmtuar, ndërkohë kuksianët i kishin kryer të tre zëvendësimet. Kukësi në lojë me Rrumbullakun dhe Imamin ka më tepër forcë dhe shtyn para, duke iu afruar golit sërish me Koldashin, por mesfushori godet tranversën. Shijakasit kërkojnë golin e nderit me kapitenin Denis Troplini, por të dyja tentativat priten nga portieri mik. Mbrojtësi Goxha kërkon me ngul të shënojë dhe e detyron portierin Frashëri që një goditje tijën ta devijojë në korne. Shpërblehet tentativa e mbrojtësit, pasi gjen golin pas harkimit të topit në zonë. 1-3, por golat nuk kanë mbaruar. Është Peposhi ai që thellon rezultatin, duke shënuar golin e katërt për Kukësin pas një krosimi të Imamit. Kështu përfundon sfida e dominuar nga kuksianet, të cilët tani mendojnë për transfertën e vështirë në Korçë.

Kupa e Shqipërisë

Erzeni – Kukësi     1-4

Shënues: Goxha 86’ / Guri 9’, 15’, Koldashi 51’, Peposhi 88’

Erzeni: Gjuzi, Goxhaj, E. Kllari, Hoxha, Konduri, D.Troplini, Xhemalaj (Hajdini 46’) R. Troplini (Kacmoli 53’), Bardhi, E. Troplini, Pasha (Bregu 53’). (Të gatshëm: Dajsinani, Teqja, Vathi, A. Deliallisi). Trajner: D. Bubeqi.

Kukësi: Frashëri, Hallaçi, Peposhi, Alla, R. Hoxha (Musolli 53’), Joti, Shtubina, Koldashi, Ethemi (Rrumbullaku 46’), Kërkotiç, Guri (Imami 46’). (Të gatshëm: Koçi, Idrizi, Bakaj, Kale). Trajner: M.Milinkoviç.

Kartonë të verdhë: Hajdini 49’ / Alla 45’

Gjyqtarë: O. Ferataj, N. Rrapaj, Q. Shehaj, O. Yzeiraj

Kërkotiç rrezikon Skënderbeun

Kukësi i kreu te tria zëvendësimet në 15 minutat e para të pjesës së dytë. Nuk ishte menduar dëmtimi i malazezit Milosh Këtkotiç, i cili la fushën e lojës që në minutën e 60-të. Mesfushori ndjente shumë dhimbje në këmbën e djathtë dhe la fushën i dëmtuar, por njëkohësisht dhe skuadrën me 10 lojtarë. Kërkotiç rrezikon ndeshjen me Skënderbeun, pasi dhe në përfundim të takimit ecte duke çaluar. Pas Alijevit, edhe malazezi është në diskutim, edhe pse ky i fundit duket se e ka humbur supersfidën e së shtunës. Gjithsesi duhet pritur për përgjigjen e analizave, për të dhënë dhe verdiktin përfundimtar. Një tjetër dhimbje koke për Milinkoviçin, i cili duhet t’i bëjë mirë llogaritë, në një takim ku rezultati i vetëm i pranueshëm është fitorja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *