Quhet Elvis Rexhbecaj dhe është vetëm 20-vjeç. Ai aktivizohet me të rinjtë e Volfsburgut, teksa ka realizuar 7 gola edhe pse është mesfushor me tipare mbrojtëse
Quhet Elvis Rexhbecaj dhe aktivizohet me të rinjtë e Volfsburgut, në kampionatin Regionalliga, pra në kategorinë e katërt gjermane. Ndryshe, pjesë e ekipit rezervë të Volfsburgut, aty nga ku dalin dhe rriten shpesh talentet për të kaluar dhe provuar më pas në skuadrën e parë. Rexhbecaj është vetëm 20-vjeç dhe këtë fundjavë, në sfidën që Volfsburgu ka ndaj Borusia Mënshengladbahut, pritet të ftohet dhe të jetë në stol. Ai ka realizuar 7 gola, edhe pse për t’u nënvizuar është fakti se lojtari me origjinë shqiptare luan mesfushor me tipare mbrojtëse. “Elvisi më çuditi që në javën e parë. Ai është i frikshëm, agresiv, një lojtar i fortë, është thuajse i kompletuar dhe mund të luajë në pozicione të ndryshme, që e vendos atë në kushte të favorshme pasi lojtarë të tillë janë në modë tani. Ai po i afrohet ekipit të parë, në një të ardhme të afërt do të jetë një opsion që do të përdorim me vazhdimësi”, u shpreh trajneri i tij.