Lionel Mesi ka dhënë sot një intervistë për përfaqësuesit e medieve sportive evropiane (European Sports Media), siç bëjnë të gjithë fituesit e “Këpucës së Artë”, çmim që Mesi e ka marrë sot (për 37 golat e kampionatit të shkuar), për herë të katërt në karrierë, si Kristiano Ronaldo. Ai ka folur për Realin e Madridit, largimin e Nejmarit, Barcelonës së këtij sezoni që duket më defensive dhe plot gjëra të tjera.
– Katër herë fitues i “Këpucës së Artë”, çfarë mendoni kur i sheh?
– “Është një vlerësim për punën e bërë, ndonëse e kam thënë gjithnjë se më të rëndësishëm janë titujt me ekipin se sa titujt individualë. Do të më pëlqente të fitoja një tjetër Champions, një tjetër Ligë, këto janë përparësitë e mia. E kam thënë gjithmonë që nuk e konsideroj veten sulmues, por kam pasur fatin të shënoj golat që më kanë dhënë këto çmime. E kam vënë re evoluimin tim, jam rritur, brenda e jashtë fushe, duke i shtuar gjëra lojës sime. Po e shijoj gjithnjë e më shumë kohën si futbollist”.
– Si i shpjegoni vështirësitë e Argjentinës për t’u kualifikuar në Botëror?
– “Kemi kaluar një fazë kualifikuese shumë problematike. Kemi ndryshuar tre trajnerë gjatë rrugës dhe nuk është e lehtë të përshtatesh me stilin e secilit. Secili vjen në skuadër me filozofinë e tij, me idetë e tij. I fundit ishte Sampaoli me të cilin kemi luajtur 4 takime kualifikuese. Ka qenë shumë e vështirë, por ia kemi dalë. Futbolli i sotëm është gjithnjë e më i barabartë, ndaj është e vështirë për t’u kualifikuar.”
– Cilët shihni rivalë të Argjentinës në Botëror?
– “Gjermania do të jetë një nga favoritet, kjo është e para, sepse kështu ka qenë gjithnjë. Por ka dhe kombëtare të tjera kandidate si Brazili, Spanja dhe Franca. Sot për sot kanë treguar se janë më të fortët.”
– T’i kthehemi Evropës. A është Mançester Sitit skuadra për t’u mundur në këtë sezon?
– “Siti është një ndër ekipet më të forta në këtë moment së bashku me PSG-në. Por sezoni është shumë i gjatë. Nuk mund të përjashtohet Reali i Madridit. pavarësisht se kanë pasur lëkundje në rezultate, jam i bindur se në fund do të jenë aty për të kërkuar të fitojnë çdo trofe. Bajerni gjithashtu është shumë i fortë.”
– Këtë sezon Barcelona duket më defensive se ofensive. Çfarë po ndodh?
– “Largimi i Nejmarit ka kushtëzuar në një farë mënyre dhe formën e lojës sonë. Kemi humbur një potencial të jashtëzakonshëm sulmues, por kjo na ka favorizuar në planin mbrojtës nga ana tjetër. Për momentin jemi më solidë në mesfushë dhe kjo na bën më të fortë dhe në mbrojtje.”
– Çfarë mendoni për eliminimin e Italisë nga Botërori?
– “Është e vërtetë se futbolli italian është në një fazë rënie në vitet e fundit. Por nuk mendoj se kjo ka të bëjë me dështimin për t’u kualifikuar në Botëror. e vërtata është se futbolli italian ka vite që ka ndryshuar. Interi dhe Milani nuk janë më skuadrat e dikurshme dhe kjo ka ndikuar negativisht në futbollin italian.”
– A mendoni në krizën e Realit?
– “Mungesa e rezultateve për ta është një fazë kalimtare. Nuk është hera e parë që i ndodh. Por në fund do të jenë në garë për gjithçka, sepse kështu ka qenë gjithnjë.”
– Rivaliteti me Kristianon për “Topin e Artë”. A ka ndonjë tjetër në garë?
– “Po, ka lojtarë të tjerë të mëdhenj që mund ta fitojnë. Nejmar, Luis Suarez, Mbape janë kandidatë seriozë dhe një ditë mund ta fitojnë këtë trofe.”
– Kristiano ka thënë se në të ardhmen pasi të jeni tërhequr nga futbolli mund të mbeteni miq të mirë. Mendoni se kjo është e mundur?
– “Nuk e di nëse do të jemi. Miqësia është diçka që ndërtohet me kalimin e viteve njohje. Ne nuk kemi marrëdhënie mes nesh. Takohemi vetëm kur ndajmë ndonjë trofe dhe e shfrytëzojmë këtë moment për të biseduar.”