Veterani i Lushnjës pranon se skuadra ka defekte, por beson se në të ardhmen do të ngrihet dhe do të luftojë deri në fund për mijetesën
Arjan Likja
Lushnja pësoi një tjetër humbje në stadiumin “Loro Boriçi”, ku e nisi shumë keq ndeshjen e prapambetur nga java e 10-të me Vllazninë. Skuadra e trajnerit Dedja pësoi gol që në minuta e parë, më pas shpërdoroi raste të mira shënimi, gaboi sërish në mbrojtje dhe në fund doli e mundur. Në atë ndeshje u pa qartë se Lushnja ka shumë probleme, që duhet t’i zgjidhë, nëse do të qëndrojë në elitën e futbollin shqiptar.
SPAHO – Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, në një prononcim për “Sport Ekspres”, thekson se tri humbjet radhazi e kanë vështirësuar shumë situatën, duke e rritur diferencën e pikëve me rivalëve. Gjithsesi, si shprehet se kampionati është i gjatë dhe futbollistët nuk duhet ta humbasin besimin: “Është e kuptueshme që të humbasësh tri ndeshje radhazi, dy nga të cilat me rivalët tanë të drejtpërdrejtë, nuk është një gjë e mirë. Përkundrazi, jemi në një situatë të vështirë. Por mendoj se nuk duhet të humbasim besimin. Të mësojmë nga gabimet, pasi po bëjmë shumë gabime, sidomos në mbrojtje. Të punojmë me shumë përkushtim që të rregullojmë lojën tonë dhe të marrim rezultatet që duam. Duhet të evitojmë edhe golat që pësojmë shumë shpejt, që me fillimin e ndeshjes. Rezultatin pozitiv me Kamzën duhet ta kërkojmë ashtu si në fazën e parë, kur luajtëm në stadiumin e Fierit dhe barazuam”, – shprehet portieri 35-vjeçar, Mikel Spaho. Defektet në lojën e skuadrës lushnjare i ka pranuar edhe trajneri Hysen Dedja pas ndeshjes së fundit, kur ai theksoi se futbollistët duhet të kenë më shumë kurajë për ndeshjet në transfertë.