Vjet ishte surpriza, ndërsa sivjet thjesht… konfirmimi. Atalanta e Gasperinit është një tren i vërtetë, teksa në “Goodison Park” shkatërron Evertonin e Runit, që del jashtë Europës me turp. Plot pesë gola të frymëzuar nga këmbët e Kristantes, i rilindur në Bergamo, por edhe gjigantit Kornelius në sulm. Ndërkohë, Berisha ka qenë sërish protagonist me pritje të bukura, me notën 6,5. Një kualifikim i kërkuar dhe merituar.
Berisha (që rrezikoi një dëmtim të rëndë traumatik) i bashkohet kështu Strakoshës, teksa Lacio barazoi 1-1 ndaj Viteshes së Rashicës, që gjithsesi ishte jashtë turneut dhe i duhej që të mos fitonte Nica për të shpresuar. Këtë herë, Strakosha bëri pushim, teksa luajti Vargiç.