Portieri dhe kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, ka pohuar pas ndeshjes se në momentet e fundit ka pasur panik, pasi ajo fitore e madhe mund të kishte ikur nga duart: “Patëm frikë në fund, sepse fitorja mund të në ikte nga duart dhe do të ishte mëkat. Pësuam një gol, që mund ta evitonim, por u vendosëm gabim. Në këtë fazë të ndeshjeve nuk vareshim nga këmbët tona për kalimin më tej. Do të shkojmë të luajmë futboll në ndeshjen e fundit që të bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët, siç i kemi bërë sot (dje) me këtë fitore. Tani do të përqendrohemi te kampionati, te ndeshja me Partizanin, që ka një ekip të mirë.
Përfaqësimi ynë këtë radhë në Europë ndryshon nga ai i dy viteve më parë, kur kaluam nga Championsi. Kemi pasur një ecuri të gjatë këtë radhë dhe kur u futëm në grup kishim objektivin të merrnim sa më shumë pikë. Kemi marrë pikë dhe nuk janë aspak të rastësishme. Deshëm të kalonim grupin, por nuk ia arritëm qëllimit. Edhe në ndeshjen e fundit do të luajmë futboll do të synojmë të marrim pikë. Kemi shpenzuar shumë energji në këtë ndeshje, por do të përpiqemi të rikuperohemi deri të hënën, kur kemi ndeshjen me Partizani”, – theksoi kapiteni Shehi.