Drejtori sportiv bardhekaltër firmosi në vitin 2015 për 3 vjet dhe tashmë duhet të ulet në tavolinë për të biseduar rinovimin, me shifra të tjera. Aktualisht përfiton vetëm 350 mijë euro
Prioriteti i Lacios quhet… Igli Tare, drejtori sportiv që po i afrohet skadencës së kontratës. Klubi bardhekaltër, me në krye “mentorin” e shqiptarit dhe ai që e i hapi dyert e skrivanisë, Klaudio Lotito, po mendon dhe studion rinovimin, duke qenë se sirenat e shumë klubeve të mëdha kanë përfunduar pikërisht te shqiptari, i sapozgjedhur drejtori sportiv i vitit 2017 pas sondazhit të bërë nga faqja e njohur “Tuttomercatoëeb”.
E ndërsa shumë flitet për Stefan De Vraj apo Milinkoviç-Saviç, të sjellë pikërisht nga Tare, fakti është se drejtori sportiv është xhevahiri i vërtetë, ai që kthen në ar çdo gjë që prek. Në qershor, kontrata e tij mbaron. Një problem më shumë për Klaudio Lotiton, që në fakt sukseset e tij i ka ndërtuar bazuar në figurën e Iglit, i cili ka sjellë plusvlera të rëndësishme dhe ka merita të mëdha në rregullimin e bilanceve të klubit.
Kontrata e tij e fundit, e rinovuar, ishte ajo e vitit 2015 dhe skadon pikërisht pas 3 vjetësh. Lotito duhet të blindojë drejtuesin shqiptar, madje edhe me një rritje rroge të konsiderueshme. Javët e ardhshme do të ketë takime, por besimi është i madh. Ka shumë skuadra të mëdha pas tij, kryesisht jashtë Italisë, sipas “Corriere dello Sport”, por raporti i tij me Lacion nuk do të “minohet” nga këto sirena dhe interesa. Lacio pret ta mbajë aty edhe për shumë vite të tjera. Në fakt, rroga e Tares, aktualisht, është vetëm 350 mijë euro në vit.