Aleksandër Çeferin ka lëshuar një intervistë për La Repubblica, duke prekur tema të ndryshme. Për numrin 1 të UEFA-s, situata e Milanit është mjaft shqetësuese, ndërsa moskualifikimi i Italisë për në Kupën e Botës është një tragjedi.
…
Një Botëror pa Italinë, është Apokalipsi?
“Sportivisht, për një vend kaq të dashuruar me futbollin, është një tragjedi. Megjithatë, ndodh, edhe Holanda është në të njëjtën situatë. Është një mundësi për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë”.
Cilat?
“Infrastruktura. Ndër vendet e mëdha, Italia është ai që ka mbetur më pas. Është një zinxhir: pa infrastrukturë nuk krijohen lojtarë të rinj, pa talente nuk fitohet. Nevojiten projekte të qarta. UEFA u jep një kontribut federatave që paraqesin plane për fusha e qendra sportive. Sot Italia nuk ka mundësi të organizojë një turne madhor, infrastruktura është mediokre, stadiumet në gjendje skandaloze. Kanë punuar vetëm Juventusi, Udineze, Atalanta, Kaliari e Sasuolo”.
Tavekio ka dhënë dorëheqjen si shef i Federatës Italiane.
“U bë president në vitin 2014 dhe mori Konten, i cili në vitin 2014 nuk kishte një skuadër të madhe në dispozicion. Më pas erdhi Ventura, por pas dy eliminimesh që në grupe, prisnit ndonjë mrekulli në Botëror? Për pjesën tjetër, Federata Italiane ka bërë një punë të mirë. Disfata ul popullaritetin e Italisë, por forca e saj politike nuk ndryshon”.
Çfarë mund të bëhet, që futbolli të mos bëhet pronë e pak klubeve të pasur?
“Duhet biznes etik. Nyja është taksa e solidaritetit. Kush kalon një nivel shpenzimesh, duhet të paguajë, që të financojë sektorët e të rinjve, zhvillimin dhe infrastrukturën e kampionateve më pak të pasur. Duhet vendosur një çati pagash, ndërsa mendoj se është absurde që të lejohen kaq shumë huazime. Ka klube që japin 55 lojtarë në huazim, është anormale”.
Çështja Nejmar?
“Nuk kam ç’të them, është duke u kryer një hetim dhe do të merret një vendim verën e ardhshme. Në janar PSG është i lirë të veprojë në merkato. Problem i madh për futbollin është që shumë para dalin jashtë tij. Ka shumë agjentë që marrin komisione të çmendura. Pronësia e mjegullt e disa klubeve, sidomos ato të vogla, rrezikon riciklimin e parave, ndaj duhet bashkim mes UEFA-s, FIFA-s, ligave dhe qeverive, për të luftuar edhe probleme të tjera, si trukimi i ndeshjeve”.
Milani dhe kinezët misteriozë që e kanë blerë?
“Po punojmë, nuk mund të them asgjë. Jam i shqetësuar, të shohim çfarë do të ndodhë. Në dhjetor do të vendosim”.
A mund të realizohet Superliga evropiane?
“Kurrë, nuk do ta lejoj. Nuk mund të bashkohen 20 klubet më të mira për të luajtur mes tyre, ashtu vdes futbolli. Po të rinjtë, kush do t’i rritë? Çfarë stimuli do kenë klubet e vegjël?”.
Nations League në horizont, do të zhduken miqësoret e kombëtareve. A mund të bëhet një Global Nations League, në rang botëror, jo vetëm evropian?
“Po e mendojmë këtë gjë, me konfederatat e tjera. Një Final Eight për çdo konfederatë, në të njëjtën periudhë kohore. Duke pasur parasysh ndryshimin e orarit nëpër botë, do të luhej 24 orë pa ndërprerje”.
Europiani 2020 do të luhet në 13 shtete.
“Për të fetuar 60-vjetorin: një turne me legjislacione të ndryshme, monedha të ndryshme, vende organizatore pa ekipin e vet që merr pjesë. Në vitin 2024 do kthehemi në formatin e vjetër”.
VAR në Botëror?
“Është ende shumë herët. E di që nuk ka kthim pas, por për këtë çështje jam pak konservator. Duhen edukuar arbitrat dhe publiku. Arbitri duhet të mbetet gjykatës, përndryshe është sikur të vendosë një robot”.