Erzeni akuzon Cjapin dhe Vllazninë B: Janë anti-futboll!

Shefi i klubit Keçi: Gjyqtari dhe anësori shpifin, do t’i padisim. Lojtarët shkodranë provokonin me gjeste të turpshme dhe duhen ndëshkuar

Glen Domi

Erzeni – Vllaznia B duket se ende nuk ka përfunduar. Pas akuzave të shkodranëve dhe pjestarëve të stafit të tyre për dhunë në Shijak, kanë reaguar drejtuesit më të lartë të klubit të Erzenit. Sipas tyre, jo vetëm gjykimi, por edhe drejtuesit apo dhe lojtarët të veçantë të skuadrës shkodrane, gjatë gjithë kohës kanë provokuar, në fushë, bankina apo dhe në tribunë.

REAGIMI –  Akuzat e shkodranëve i ka cilësuar si të turpshme shefi i klubit të Erzenit, Altin Keçi i cili në një deklaratë për “Sport Ekspres është shprehur: “Është tërësisht e pavërtetë ajo çfarë është thënë në media nga shijakasit, madje, janë akuza të pabaza dhe dashakeqëse. Nuk mohoj dot ofendimet, por nuk pranoj akuzat që vetëm dëmtojnë futbollin dhe hidhen në drejtim të Erzenit për të na baltosur! Gjyqtari i takimit nuk është prekur nga asnjë tifoz apo lojtar i yni. Prezent kanë qenë delegati dhe vëzhguesi të cilët normalisht që mund ta vërtetojnë këtë pranë komisionit të disiplinës. Arbitrat e ardhur nga qyteti i Fierit nuk është hera e parë që tensionojnë situatën në klubin tonë. Kujtoj, se edhe në takimin e sezonit të shkuar Erzeni-Besëlidhja, kryesori Kreshnik Cjapi dhe asistentët e tij përveçse kanë mohuar një penallti në dëm të sulmuesit tonë Lleshi të shkaktuar nga mbrojtësi Smajli kanë favorizuar lezhjanët me një gol në pozicion të dukshëm jashtë loje.  Me Kreshnik Cjapin do të merren organet kompetente, pasi kemi vendosur ta padisim për shpifje. Kemi pamje filmike se ai nuk është prekur por vetëm po shpif dhe kjo do vërtetohet. Askush nuk mund të hedhë baltë mbi Erzenin. Ne mbajtëm përgjegjësitë tona për humbjen dhe e pranojmë atë pavarësisht se erdhi në mënyrë aspak të ndershme. Erzeni është një skuadër e rregullt me infrastrukturë dhe me kushte optimale. I krijojmë kushtet e duhura çdo skuadre dhe këtë e kanë konstatuar edhe mediat që transmetojnë takime në Shijak. Ne, si e përmenda më sipër do të padisim për shpifje këtë gjyqtar arrogant, mashtrues dhe kamikaz që po shëmton diçka kaq të bukur e të shenjtë siç është futbolli. Asistenti i tij i parë, Orgest Gabova, ka bërë një akt të papranueshëm që njollos nderin e arbitrimit pasi nderi personal nuk mendoj se ekziston për atë. Gjatë takimit i është drejtuar me fjale ofenduese trajnerit tonë Dorian Bubeqi pas protestave të tij për disa vendime të marra prej anësorit. Disa herë aksionet tona janë ndalur për pozicion jashtë lojë, ndonëse kanë qenë të rregullta”.

VLLAZNIA B – “Dua të flas dhe për ekipin mik të Shkodrës që në përbërje kanë lojtar të padisiplinuar dhe provokativ. Klubi disponon pamjet e nevojshme për të hedhur poshtë akuzat e ngritura. U duk qartë miqësia mes ekipit mik dhe arbitrave këtë e dëshmojnë dhe përqafimet mes tyre. Dua të përmend këtu disa raste. Lojtari me numër 22, Bega ka ofenduar duke provokuar gjatë takimit lojtarin tonë Jurgen Goxha dhe Elert Kalluci. Pa harruar edhe numrin 15-të, Kukaj, i cili pas daljes me të kuq i është drejtuar tifozëve duke prekur organet gjenitale. Ndërsa, numri 11-të, Tula teksa zëvendësohej përveç vonesës që duhej ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, ka nxjerrë gishtin e mesit në drejtim të tifozëve si dhe është drejtuar me fjalë fyese. Edhe në fund të takimit, lojtarët shkodranë kanë dalë nga fusha duke provokuar nervat e tifozëve të cilët po përlesheshin me policinë. Ndaj Erzenit po bëhen padrejtësi dhe për këtë bëj thirrje të merren parasysh ankesat tona. Siç jua thashë klubi do të ngrejë një padi ndaj këtyre njerëzve që shpifin dhe kërkojnë të na hedhin baltë, të hedhin poshtë punën tonë”, – ka theksuar dje shefi i klubit shijakas, Altin Keçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *