Shkodranët udhëtojnë në Durrës, teksa trajneri e di mjaft mirë se vetëm 3 pikëshi sjell kthesën e shumëpritur
Gasper Marku
“Sukseset më të mëdha të njeriut kanë ardhur si rezultat i komunikimit, dhe dështimet më të mëdha kanë ndodhur nga mungesa e komunikimit”… Nuk dihet nëse Ernest Gjoka, trajneri i Vllaznisë, e ka përdorur këtë shprehje në faqen e tij zyrtare në facebook për të treguar se ndoshta ka ardhur momenti që mesazhi i tij ka shkuar te veshi i futbollistëve që stërvit. Dje, trajneri i Vllaznisë ka zhvilluar seancën e fundit, që ka zgjatur më shumë se një orë. Në “Reshit Rusi”, trajneri ka provuar skuadrën që do të zbresë në fushë përballë Teutës. Falë edhe një moti të mirë që shoqëroi dje qytetin verior, tekniku Gjoka pati mundësinë t’i shfrytëzonte me shumë efikasitet minutat e fundit përgatitore anti-Teuta.
Gjoka, i kënaqur me skuadrën, kërkon pikët maksimale në Durrës. Në prononcimin e dhënë për mediat, pak çaste përpara se të nisej me skuadrën drejt qytetit të Durrësit, tekniku i kuqebluve shprehet optimist se faza e dytë.
Pas seancës së fundit anti-Teuta, a është skuadra gati për këtë sfide?
Mendoj se kemi punuar shumë në këtë hapësirë që patëm në pushimin e kampionatit për ndeshjet e ekipit kombëtar. Jam i mendimit që deri tashmë skuadra më është përgjigjur mirë, kemi ndryshuar disa gjëra, jemi munduar të transmetojmë disa ide të reja. Kështu që tashmë ka ngelur vetëm paraqitja.
Kjo periudhë e konsiderueshme pushimi sa i ka vlejtur skuadrës?
E konsiderueshme mund ta themi, por e konsiderueshme asnjëherë nuk është në sport, sepse duhen gjatë gjithë kohës shumë hapësira, por mendoj se dalëngadalë po e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin, si skuadra edhe ne të stafit. Dhe, po mundohemi që të kalojmë sa më shpejt disa hallka për të shkuar sa më shpejt tek ajo që na duhet si oksigjen, pikët. Kështu që mendoj se jemi deri diku në rrugë të mbarë, rezultati është pastaj ai që do të na sjellë qetësinë.
Keni pasur paksa probleme me dëmtimet, duket se vetem Krymi është në infermieri?
Krymi është dëmtuar me ekipin kombëtar Shpresa dhe për këtë stafi mjekësor po mundohet që ta na sjelli sa më shpejt në fushë. Për këtë javë duhet thënë se nuk është, ndërsa Bardulla ka pasur në problem tendinë dhe tashmë është i bashkuar me grupin, pavarësisht se në gjendjen fizike nuk është krejt i plotë pasi ka pasur mungesa, sepse ka një kohë të gjatë që bën pushim. Për të tjerët nuk kemi asnjë dëmtim, absolutisht.
Në aspektin psikologjik a ka përmirësime, pasi në këtë aspekt ekipi ka vuajtur shumë?
Në fakt, për atë po punojmë. Po mundohemi që të transmetojmë ide të reja, po mundohemi t’i bindim të gjithë se ne jemi një skuadër që mund të bëjmë mirë, jemi një skuadër që kemi cilësi brenda, por mendoj që janë pasoja shumë të mëdha dhe këto pasoja nuk mbyllen përnjëherë. Duhet të arrijmë të bindim vetëm që ne nuk jemi skuadër për mbijetese, por jemi skuadër për të parë përpara. Por, kjo do pak punë, do pak bindje, do besim, do edhe rezultate, sepse të gjithë këto na bëjnë pastaj që të mos e kthejmë kokën prapa por të shikojmë vetëm përpara.
Keni përballë një Teutë që të paktën sezonet e fundit është shndërruar në “gogol”, për Vllazninë…
Sigurisht, Teuta është një skuadër që gjatë të gjithë kohës ka prodhuar futboll cilësor në Superligën shqiptare si skuadër elitare e futbollit shqiptar. Në këtë momente ato janë edhe mirë, edhe keq në sensin e pikëve, apo të anës morale.
Për 3 apo 1 pikë në “Niko Dovana”?
Ne, nuk kemi asnjë lloj alternative tjetër, jemi në një moment që kërkojmë çdo ndeshje të marrim maksimumin. Kjo është ajo që ne po bindim veten dhe me gjithë skuadrën po e kuptojmë se sa e rëndësishme dhe sa të domosdoshme janë pikët.
Mendon Gjoka që në fazën e dytë dhe në mbyllje të sezonit do të kemi një Vllaznia tjetër?
Mendoj që tashmë fillon puna e jonë e stafit teknik, dhe këtë ia kam transmetuar si ide edhe skuadrës që o do ta bëjmë këtë fazë, ose më mirë të dalim përpara njerëzve tanë, përpara tifozëve, presidentit dhe t’i themi që nuk e bëjmë dot. Kështu që nuk kemi as edhe një alternative tjetër, o do ta bëjmë, o do ta bëjmë.