Duro: Është cenuar gara, disa luajnë çdo 3 ditë

Vetëm pak ditë pas barazimit me Skënderbeun në Vlorë, një tjetër takim për Flamurtarin, këtë herë në transfertë me Lushnjen. Një ndeshje ku vlonjatët kërkojnë tre pikët, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro e ka cilësuar jo normal kalendarin, për shkak të afërsisë së takimeve, por edhe faktin se disa skuadra luajnë dy ndeshje në pak ditë, ndërsa të tjera bëjnë dy javë pushim. Formacioni pritet që të ketë ndryshime, ndërsa vlonjatët kanë mungesën e Bicajt.

CËNIMI I GARËS – “Para se të bëj një koment për ndeshjen, dua të them se ky është cenim i garës, për të cilën ne nuk kemi qenë dakord. Një skuadër që ka vetëm dy ditë pushim luan përballë një skuadre që ka 15 ditë pushim. Flamurtari ka patur vetëm dy ditë kohë, ashtu si edhe Teuta, ndryshe Lushnja e Vllaznia që kanë patur plot 15 ditë pushim për t’u përgatitur dhe për të qenë gati për këtë ndeshje”.

NDESHJA – “Çdo ndeshje vlen tre pikë. Lushnja, pavarësisht pozicionit në renditje, duhet vlerësuar maksimalisht, sepse ka lojtarë cilësorë, lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë luajtur në Superiore dhe e njohin mirë kampionatin. Është një skuadër me lojtarë që luajnë prej kohësh bashkë””.

MOTIVIMI – “Ne kemi luajtur tre takime radhazi: me Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin. Padyshim janë ndeshje që motivimi vjen vetë. Kemi zhvilluar tre ndeshje, ku mund dhe duhej të kishim marrë më shumë pikë dhe natyrisht motivimi te lojtarët është edhe më i madh. Me ekipe që janë disi më poshtë në renditje, motivimi bie ndonjëherë, por ne kemi kërkuar impenjim dhe motivim maksimal për çdo kundërshtar. Pikët vlejnë njësoj, si ndaj Skënderbeut e Partizanit, ashtu edhe ndaj Lushnjes. Çdo ndeshje është e vështirë dhe kështu e shoh edhe me Lushnjen. Duhet impenjim dhe vlerësim maksimal për ta treguar e më pas për të marrë rezultatin që kërkojmë.

FORMACIONI – “Fakti që kemi luajtur vetëm tre ditë më parë, padyshim që do të sjellë ndryshime në formacion, pasi edhe lojtarët nuk janë rikuperuar plotësisht, kur dihet se kemi luajtur të enjten. Por ndryshimet vijnë edhe në varësi të kundërshtarit që kemi përballë”.

ATMOSFERA – “Është luajtur vetëm një fazë e kampionatit dhe ndeshja e parë e fazës së dytë. Lushnja është vërtetë në vend të fundit, por kampionati është i gjatë. Dy fitore të fusin plotësisht në valle dhe ndonjëherë të ndryshojnë gjithçka. Nuk ka vend aspak për eufori, në lojë janë shumë pikë, shumë ndeshje dhe duhet të vijojmë të jemi seriozë, ashtu si deri më tani, kokulur dhe të punojmë dhe respektojmë çdo kundërshtar”. Elton Nika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online