Fitore drithërues në arenën “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kosova ka arritur që të marrë një fitore të çmendur në shtëpinë e saj me Letoninë. Pas një periudhe relativisht të gjatë “dardanët” riktheheshin të luanin në shtëpi dhe mbështetja e tifozerisë i ndihmoi për të marrë një fitore që e prisnin shumë. Për mënyrën se si shkuan gjërat kosovarët i gëzohen pa masë fitores pasi e panë veten tre herë në disavantazh.
Që në minutën e 11-të Kluskins shënoi golin e parë të takimit. Gjithsesi festa e miqve zgjati shumë pak, pasi në ekzekutimin e një goditje këndi qendërmbrojtësi Amir Rramani vendosi ekuilibrin. Sapo kishte kaluar gjysmë ore lojë sërish Letonia kaloi në avantazh me anë të Sabala, por buzëqeshja zgjati shumë pak sepse vendasit iu gëzuan golit të Vedat Muriqit 60 sekonda para fundit të pjesës së parë. Me nisjen e fraksionit të dytë Kosova pësoi golin e tretë nga Kluskinsi, që shënoi golin e dytë personal.
Kur të gjithë menduan se takimit po i vinte fundit, erdhën emocionet më të forta. Elbasan Rashani barazoi rezultatin për të tretën herë katër minuta para fundit të kohës së rregullt. Besar Halim bën të mundur të pamundurën duke shënuar në minutën e katërt shtesë. Pas tentativës së Nuhiut që u ndal nga shtylla mesfushori ndoqi aksionin dhe shënoi një gol që i ngriti peshë zemrat e të pranishmëve në “Adem Jashari”. HISTORIKE! Një përmbysje e çmendur që do të mbahet mend gjatë, edhe pse vetëm një miqësore.