Trajneri i Vllaznisë shfaqet optimist për sfidën me lushnjarët, por Gocaj, Bardulla dhe Krymi ia kanë prishur disi planet, pasi mbeten të dëmtuar
Gaspër MARKU
Edhe pse ishte ditë e diel dhe skuadra vinte pas ndeshjes miqësore me Vllazninë B, tekniku Ernest Gjoka nuk i ka lënë pushim të tijtë. Paradite kuqeblutë kanë konsumuar një seancë stërvitore të karakterit fizik në një nga palestrat e qytetit të Shkodrës, ku me futbollistët janë marrë dyshja Tafaj-Poloska. Pasditja ka qenë pushim, kurse sot në mesditë Vllaznia do t’i rikthehet procesit stërvitor, duke u përqendruar te ndeshja e mesjavës me Lushnjën.
POST MIQËSORJA – Trajneri Gjoka, edhe pse Vllaznia është mundur nga skuadra B, është dukur i kënaqur. Të mundesh nga një kundërshtar i Kategorisë së Parë mund të duket alarmante, por ndryshe ndodh me trajnerin e kuqebluve. Shumë nga ata që e kanë ndjekur nga afër këtë ndeshje, e kanë komentuar në forma nga më të ndryshmet, duke vënë nën akuzë skuadrën për gjendjen që po kalon, por trajneri Ernest Gjokae sheh atë miqësore në një prizëm tjetër. Ai nuk merret me rezultatin, sepse rezultatet e miqësoreve asnjëherë nuk janë marrë në konsideratë. E rëndësishme për të është ajo çfarë prodhoi skuadra në fushë dhe sa iu përgjigj kërkesave dhe detyrave që stafi kishte dhënë: “E rëndësishme është që po dalim te sulmi, pastaj gjërat tjera do të vijnë gradualisht. Të mos harrojmë se Ribaj vjen nga një gjendje jo e mirë fizike. E rëndësishme është që doli disa herë para portës. Kalaja është një lojtar që shikon përpara dhe për mendimin tim, Vllaznia prodhon raste para portës kundërshtare” – shprehet trajneri Gjoka. Për të ndërprerja e kampionatit ishte në shërbim të skuadrës, sepse pati mundësi ta shtonte ritmin e përgatitjeve në aspektin fizik. “Sigurisht që këto ditë na shërbyen, sepse na duhej patjetër të ndryshojmë disa gjëra. Ne si staf kemi ardhur për të punuar dhe për ta përmirësuar Vllazninë”, – shton Gjoka.
Tekniku kuqeblu ka besim se kuqeblutë janë gati për ndryshimin pozitiv në fazën e dytë. “Kemi rritur parametrat dhe duhet të jemi të kënaqur. Lojtarët kanë dhënë maksimumin për të ndryshuar gjithçka, për të lënë prapa rezultatet e dobëta të fazës së parë. Kur nuk ka rezultate, ka një ngërç psikologjik, por po punojmë shumë në këtë aspekt, pasi cilësia është në skuadër. Po punojmë shumë që të rritemi psikologjikisht dhe duhet të fitojmë ndeshjen e radhës me Lushnjën për të qenë edhe më mirë”, – ka përfunduar Gjoka.
DËMTIMET – U fol me entuziazëm gjatë ditëve të fundit për rikuperimin dhe mundësitë e rikthimit të dyshes Gocaj-Bardulla. I pari vuante pasojat e ndeshjes me Skënderbeun, ku u zëvendësua në pjesën e dytë, kurse i dyti kishte probleme të mbartura pas ndeshjes me Kukësin. Sinjalet në fakt ishin pozitive, por për trajnerin Gjoka, fakti që kanë qenë larg grupit të parë dhe nuk kanë marrë ngarkesa, përbën një problem jo të vogël dhe pritet të mos jenë në formacion. Ai nuk i përfshiu në miqësoren me Vllazninë B dhe Gocaj e Bardulla e ndoqën këtë miqësoren si tifozë. Por në pikëpyetje për ndeshjen e ardhshme është edhe Ardit Krymi. Mesfushori ka qenë i grumbulluar me kombëtaren U-21 dhe të premten nuk u aktivizua asnjë minutë. U krijua ideja se ai mund të ishte pjesë e miqësores të së shtunës, të paktën për 45 minuta, por edhe ai e ka ndjekur ndeshjen si spektator. Krymi duket se nuk është në parametrat e duhur fizikë, madje ka probleme dëmtimi. Gjithsesi, për Krymin, apo edhe Gocajn dhe Bardullën pritet seanca stërvitore e së hënës për të parë realisht, nëse tekniku Gjoka do t’i përfshijë në grup për ndeshjen me Lushnjën apo jo.