Përqendrim dhe unitet, ja pse u përzgjodh grumbullimi në Turqi!

Anton Cicani

Grumbullimi një javor në Antalia, përpara sfidës miqësore ndaj Turqisë, sigurisht, krijoi jo pak habi te tifozët dhe ambienti përreth kombëtares, por ajo që ka rënë më shumë në sy është fakti se trajneri Kristian Panuçi nuk është prezantuar ende përpara medieve dhe do ta bëjë sot këtë gjë. Larg Shqipërisë, ndryshe nga herët e tjera, ku ishim mësuar t’i shihnim në Durrës. E teksa aventura e italianit si pasues i De Biazit nisi me grumbullimin në qendrën e re të kryeqytetit, pra në Sheshin “Skënderbej”, tashmë ishte Turqia destinacioni. Larg zhurmës, medieve, por sidomos tifozëve.

E gjitha, me një qëllim: uniteti i grupit. Madje, për të treguar se bëhet fjalë për një skuadër dhe një bashkësi, Panuçi mori edhe lojtarë të dëmtuar, duke i dërguar më pas sërish në shtëpi. “Dua përqendrim, përqendrim!”. Këto fjalë thuhen dhe rithuhen në çdo stërvitje, ndërsa serioziteti që merr trajneri është vërtet i admirueshëm. E veçanta është se, ndryshe nga herët e tjera, siç ndodhte me De Biazin, në kombëtare nuk ka më grupe të diferencuara lojtarësh, që bisedojnë apo bëjnë humor, por janë të gjithë bashkë. Zgjedhje e trajnerit, që dëshiron unitet dhe të mos ketë as përçarjen më të vogël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *