Andrea Pirlo flet rrallë dhe kurrë nuk krijon polemika, ndaj kur ai kritikon trajnerin e Italisë, duhet lexuar me kujdes, sepse nuk flet kot. Mesfushori legjendar, i cili u nda nga futbolli i luajtur para pak ditësh, ka kritikuar ashpër Italinë e tij dhe trajnerin Ventura pas humbjes 0-1 në Stokholm në ndeshjen e parë në play off për Botërorin 2018. Axurrët kanë zhgënjyer plotësisht me paraqitjen e tyre dhe për Andrea Pirlon nuk ka justifikim. Madje ish-mesfushori i axurrëve nuk i ka kursyer kritikat ndaj trajnerit Ventura, që pas ndeshjes vuri theksin tek arbitrimi: “Skuadra duhet të bëjë shumë më tepër. Të flasësh për arbitrin është e pavlerë, në këto ndeshje duhet të luftosh, ndërsa atë mbrëmje përshtypja ishte se do të dorëzoheshin që në kontaktin e parë”.
Për sa i takon ndeshjes së kthimit, ish-ylli i Milanit dhe Juventusit u shpreh: “Do të jetë e vështirë për Venturën të gjejë motivimin e duhur për grupin në këto tre ditë presioni, nga gazetat dhe televizionet. Duhet të analizojnë ndeshjen e luajtur dhe të gjejnë pikat e duhura për të fituar të hënën. Do të jenë tre ditë tensioni dhe është e bezdisshme ta shikosh videon, por këto ditë do të jenë të rëndësishme”.
Stadiumi nuk shënon – Italianët tashmë i kanë varur shpresat në “San Siro” për të tentuar përmbysjen dhe për të mos u kujtuar si dështakë. Mjafton të shohësh titullin e “Gazzetta dello Sport” (“San Siro pensaci tu” – “San Siro mendo ti”) për të kuptuar se në çfarë sitruate kaotike ndodhen katër herë kampionët e botës. Por Pirlo është skeptik pavarësisht mbështetjes së tifozëve në Milano. “Stadiumi do të dëgjohet, por nuk kam parë kurrë që të shënojnë tifozët”, u shpreh 38-vjeçari që vijon më tej: “Kur humb duhet ndarë përgjegjësia mes trajnerit dhe lojtarëve. Mua më pëlqenin ndeshjet me presion të madh, mendoj se do t’i pëlqejnë edhe ish-kolegëve të mi”.