Ish-zëvendëstrajneri i vlonjatëve analizon sezonin e kuqezinjve, teksa parashikon fitoren me korçarët. Ai flet edhe për dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës
Elton Nika
Flamurtari ka mbajtur sërish vendin e tretë në renditje edhe pas barazimit me mjaft polemika përballë Kukësit. Ndërkohë në Vlorë ndihen disi të kënaqur me faktin se skuadra ka arritur që këtë vit të tregojë diçka ndryshe në kampionat, por që padyshim pretendohet dhe shpresohet për më shumë. Koto Zilja, ish-mesfushori i njohur i Flamurtarit, zëvendëstrajner i skuadrës kampione në vitin 1991, mendon se ky Flamurtar i ka të gjitha mundësitë që të arrijë diçka të rëndësishme në këtë sezon. Zilja, një nga mesfushorët e Flamurtarit të viteve 70-80, ishte në pankinë së bashku me Edmond Liçajn në kohën kur Flamurtari doli kampion, beson shumë tek ekipin, por megjithatë sipas tij duhet treguar kujdes.
“Ky Flamurtar më pëlqen. Referuar edhe viteve të shkuara, ky ekip ka diçka më shumë. E vetmja gjë për të cilën ne mbetemi nostalgjikë, ka të bëjë me numrin e lojtarëve vlonjatë. Besoj se ka më shumë mundësi për të patur të tillë në gjirin e skuadrës, por megjithatë ky është një Flamurtar që më pëlqen. Një skuadër e fortë taktikisht dhe shumë e vështirë për t’u mundur. Futbolli vlonjat ka dy karakteristika shumë të rëndësishme, që janë futbolli i ashpër brenda kuadratit të fushës, por edhe loja e bukur, dy cilësi të cilat ndoshta këtë vit po shfaqen dalëngadalë, edhe pse duhet akoma kohë, pasi mbetet një skuadër e ndërtuar nga fillimi në nisje të sezonit të ri futbollistik”, deklaroi Zilja.
DËNIMI
Ish-mesfushori foli më tej për dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës, duke e konsideruar absurd dënimin e Flamurtarit për të luajtur katër ndeshje pa tifozë. “Ajo çfarë dua të them lidhet me faktin se nuk mund të dënohet një qytet i tërë. Nuk mund të dënohem unë, apo kushdo tjetër në mënyrë kolektive për të mos ndjekur ndeshjen në stadium. Nuk mund të mbyllësh një stadium, apo të dënosh një qytet nëse 20 apo 30 vetë shajnë, por mbi të gjitha për një parullë që nuk ka asnjë lidhje me futbollin. Dy ndeshje shumë të rëndësishme me Kukësin dhe Skënderbeun ne nuk kemi mundësinë t’i shijojmë në stadium. Kur apeli nuk është shprehur, atëherë me sa di unë vendimi i marrë nuk hyn në fuqi, pasi unë si klub kam të drejtë ta apeloj. Pra është një dënim absurd: nga njëra anë kërkojmë tifozë, nga ana tjetër dënojmë stadiumet bosh. Kjo është absurde”.
SFIDA ME KAMPIONËT
Përballja me skuadrën verilindore ishte një nga temat për të cilat foli Zilja: “Me Kukësin, Flamurtarin mbi të gjitha në pjesën e dytë e pashë mjaft mirë në fushën e lojës dhe më pëlqeu skuadra. E pashë edhe ndaj Partizanit, skuadra shënoi dhe më pas e administroi mjaft mirë ndeshjen, duke marrë fitoren. Me Kukësin meritonim diçka më shumë se barazimi dhe ai gol i anuluar mbetet pastaj në shprehjen dhe dëshirën e gjyqtarit për t’u anuluar apo jo”.
NDESHJA ME SKËNDERBEUN
Përballja e radhës për vlonjatët luhet në shtëpi me korçarët: “Unë nga natyra jam optimist dhe më pëlqen gjithmonë të fitoj dhe kështu do të ndodhë edhe në ndeshjen e javës tjetër. Flamurtari fiton përballë Skënderbeut, edhe pse unë them se Skënderbeu është një skuadër që ka diçka më shumë se skuadrat e tjera të Superiores”.
TITULLI I FITUAR
Flamurtari ka fituar titullin në vitin 1991 dhe Zilja asokohe ishte zëvendëstrajner. Sigurisht që për të ka nostalgji: “Kam qenë në pankinë në titullin e Flamurtarit në vitin 1991, së bashku me Edmond Liçajn trajner. Çfarë ndjej? Nuk e di, nostalgji… Mbetet diçka më shumë se kaq, për vetë faktin se ishte një brez i jashtëzakonshëm. Shpresoj që shumë shpejt Flamurtari ta arrij diçka të tillë sërish”.