Shtangisti: Isha përgatitur dhe isha në superformë për të marrë titullin e Kampionit të Botës, që ma hoqën padrejtësisht…
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka refuzuar vizën turistike peshëngritësit shqiptar Daniel Godelli, i cili ishte pjesë e ekipit kombëtar, që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Anaheim më 27 nëntor deri në 5 dhjetor. Shtangisti nga qyteti i Peqinit, që rikthehet në garat ndërkombëtare pasi iu hoq titulli “Kampion Bote” tre vite më parë në botërorin e Kazakistanit, rikthehej në superformë jo thjesht për të fituar medalje, por për të rrëmbyer titullin e humbur. E në fakt, të paktën dhe sipas burimeve të sigurta, amerikanët nuk i kanë dhënë vizë Godellin për shkakun se ka gënjyer për shkaqet e procedimit për “armëmbajtje pa leje”, gjë që në fakt ka ndodhur më 2012-ën. Kështu është shprehur peshëngritësi Godelli, që i është refuzuar aplikimi i parë për vizë amerikane, ndërsa për aplikimin e dytë të bërë të premten ende nuk ka marrë përgjigje. “Kam bërë aplikimin e dytë, nuk e di fiks sa vonohet përgjigja, por nuk kam shumë kohë. Për mua tani s`ka rëndësi shumë, sepse isha me një formë absolute. Tani m’u prishën planet. Nuk i takon sportistit të merret me vizën. Unë as duhet ta kisha fare në mendje, sepse nuk do shkoja në Amerikë për të shpresuar për medalje, do shkoja të merrja titullin që më hoqën”, deklaron Daniel Godelli.
Peshëngritësi i talentuar shqiptar pas humbjes së titullit botëror, kishte nisur përgatitjet për të rivendosur nderin në vend. Por, ndonëse ka bërë dhe aplikimin e dytë për vizë amerikane, koha është e limituar duke marrë parasysh procedurat kohore që kërkohet nga aplikimi deri te dhënia e intervistës dhe marrja e përgjigjes. Ndaj Godelli, ndonëse nuk e pranoi, sërish la të kuptohet se ka humbur shpresat për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që do të zhvillohet në SHBA gjatë muajit nëntor.