Anton Cicani
“Më jep pak bukë…!”.“Ma kalo ujin ose birrën të përtypem”. “Ej, çuna a e mori kush tupanin? Po flakadanët?”. “Ku do të ndalojmë që të marrim veten?!”. “Shofer, shkele gazin sepse jemi vonë, kemi rrugë për të bërë”. “Sa lekë të kanë mbetur, a blejmë dot gjë në dyqan?”…
Këto fjali nuk janë imagjinare, por grimca të mbledhura nga dialogjet ndër vite të pjesëtarëve të tifogrupit “Ultras Guerrils”, të cilët në ditët më të vështira të klubit të Partizanit, skuadra e zemrës, përballeshin me rrugëtime të gjata, me transferta të lodhshme, por sidomos përballeshin me fyerje të çdo lloji, me vështirësitë ekonomike dhe në disa raste i duhej që të mblidhnin edhe para për t’ia dhënë futbollistëve, sa për të blerë një palë këpucë me taka…
Kishte mbetur vetëm historia, stema dhe sidomos trofetë. Atë, askush nuk ia morri klubit. E denigruan, e lanë në mëshirë të fatit dhe atëherë kur në fund të tunelit nuk shihej dritë, një grup adoleshentësh vendosën që me pasionin, dëshirën dhe me forcën e tyre, të këndonin në mbështetje të ekipit. Një dashuri e pastër, e sinqertë, pa interes. Nuk u interesonte rezultati dhe në fakt nuk do t’u interesojë kurrë! Ajo që u interesonte dhe vazhdon tu interesojë është që skuadra e tyre e zemrës të ketë një… zemër. Të ketë një pasion, një dëshirë dhe të njohë fjalën “sakrificë”.
Një ndër kompozitorët më të mëdhenj të historisë së njerëzimit, Bethoven, lindi thuajse i shurdhër, por nga duart e tij dhe tastet e pianos dolën melodi që sot janë praktikisht “buka e engjëjve”.
Edhe ata, “Guerrils”, ishin “të shurdhër”, thuajse një dekadë më parë, duke qenë se nuk dëgjonin askënd por zemrat e tyre. Por, kjo nuk i pengoi të kompozonin ndër vite, e teksa vazhdojnë të kompozojnë, edhe sot, drejtuesit e klubit dhe lojtarët po stonojnë. Janë vetëm “ata”, tifozët dhe këngët e tyre… Dhe, ajo që vlen të përmendet sërish, zemra e tyre.
“Një ëndërr e së shkuarës, një ëndërr që vazhdon, në çdo fushë ku ju luanit, për ne ishit kampionë!”. Partizani për ata është një motiv jete, është një ëndërr që nisën të ndiqnin atëherë kur thuajse të gjithë braktisën klubin legjendar dhe u kujtuan më vite më vonë se ende ekzistonte. Gjatë këtij rrugëtimi, kishte edhe nga ata që u larguan, kishte edhe nga ata që i dhanë “lamtumirën” kësaj jete, por edhe nga ata që u bënë më të fortë. Në fillim 15, më pas 30, më pas 50 dhe 100, ndërsa tashmë thuajse 500 të tillë…
Thonë që vetëvrasja është një shfaqje dobësie karakteri. E pra, këta djem, që janë zemra e një klubi që lindi dhe po jeton për së dyti, nuk mund të jenë të dobët në karakter. Sepse, ai që ka provuar “Ferrin” nuk mund të trembet nga “Purgatori”…
Një dedikim i qëlluar, por shumë i merituar për këtë grup djemsh që nuk janë më edhe aq të rinjë.
Historia thonë përsërit vetveten, kjo ndodhi edhe me këtë grupim, i cili lindi si pasojë e pushtimit, reprezaljes, dhe persekutimit Fashist që i bëhej Partizanit në ato vite.
Partizani u ka një borxh të pashlyeshëm këtyre djemve. Ishin ata të cilët e nxorën nga agonia, në momentin më kritik, kur po jepte frymën e fundit. Të gjithë e konsideronin të vdekur, por këta djem mobilizuan publikun dhe median, kthyen vëmëndjen treguan se kjo stemë është më shumë se një klub futbolli!
Respekt për këta djem!