Trajneri i Kamzës, Ramazan Ndreu, shijon në maksimum rezultatet e skuadrës që ka krijuar, duke qenë ndër trajnerët më të mirë të sezonit në Superiore deri tani. Pas fitores së madhe ndaj Partizanit, Ndreu komenton renditjen dhe premton përforcime: “Kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë, duke luftuar deri në fund. Partizani vinte në Kamzë për fitore, ndaj kishim synim të mbroheshim mirë dhe të prisnim për ndonjë rast në kundërsulm. Bëmë gjithçka mirë, jam shumë i kënaqur. Jemi në vendet e kreut, nëse vazhdojmë kështu, me shpirt gare dhe kompaktësi, mendoj se mund të bëjmë diçka të madhe, por objektivi ynë është gjashtëshja e parë dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur.
“Nota? Mendoj se jemi te nota 8, sidomos në mesfushë duhet të përmirësohemi në qarkullimin e topit, pasi na mungon një lojtar që ta marrë topin dhe të organizojë lojën. Mendoj se në janar do të ndërhyjmë për të gjetur një lojtar të tillë, të nxjerrë skuadrën përpara. Megjithatë, skuadra ka bërë gjithçka mirë në aspektin mbrojtës dhe mesfusha po bën maksimumin me karakteristikat që ka. Partizani ka vlera, i tregoi edhe sot, por skuadra ime bëri gjithçka mirë në shumë drejtime.
“A ndihem gati për ndonjë klub më të madh? Të them të drejtën, te Kamza ndihem shumë mirë dhe jam komod, më janë plotësuar të gjitha kushtet dhe punoj me qetësi”.