Mbrojtësi i majtë ka pranuar se janë në presion, por do rikthehen. Finalizimi një nga pikat e dobëta, ndërkohë që mohon që skuadra të ketë luhatje
Renaldo Kalari është rikthyer titullar me Partizanin në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërkohë që klubi i kuq e kishte përzgjedhur të dilte dje para mediave për të folur për sfidën me Kamzën dhe situatën në ekip. Presioni është i pranishëm, ndërkohë që për mbrojtësin tashmë nis një kampionat me sfida karakteri. Besimi nuk është venitur dhe Kalari beson se skuadra do rikthehet. “Të mundesh brenda në fushën tënde nuk është diçka e mirë. Gjithsesi do shohim përpara, pasi ka akoma ndeshje”, tha mes të tjerash 33-vjeçari.
Të ndalemi te humbja me Flamurtarin. Sa e komplikon situatën në skuadër, duke ditur se vinit nga një ecuri e mirë?
– Vinim pas 3 rezultatesh radhazi pozitive, kishim marrë tre fitore dhe ishim të bindur se do merrnim fitoren e katërt në kampionat. Disa gjëra nuk shkuan ashtu siç duhet, e keni parë edhe vetë. Pavarësisht se e dominuam kundërshtarin, me një goditje në portë, me dy më saktë, një ishte nga 25 metra. Me të parën na shënoi gol dhe normalisht komplikohen gjërat. Bëmë volum loje, por ato pak raste nuk arritëm t’i shfrytëzonim ashtu siç duhet për të marrë trepikëshin e katërt radhazi. Edhe ne na vjen keq për këtë situatë, sepse nuk e nisëm ashtu siç duhet kampionatin dhe normalisht duke parë objektivat që kemi tensioni në skuadër rritet, aq më tepër kur e pëson kur krijon volum loje për 25 minuta dhe në goditjen e parë të kundërshtarit pëson gol. Ndihesh pak keq dhe e ke të vështirë të rikuperosh, pavarësisht se ne e vumë kundërshtarin përpara, krijuam volum loje, pak raste u krijuan, por nuk i shfrytëzuam. Gjendja psikologjike normalisht që nuk është e mirë dhe të mundesh brenda në fushën tënde nuk është diçka e mirë. Gjithsesi do shohim përpara, pasi ka akoma ndeshje. Nuk ka mbaruar ende çereku i kampionatit. Besoj se jemi të gjithë të bindur se do rikthehemi.
Përse ka kaq shumë luhatje ky Partizan dhe a është sulmi pika më e dobët?
– Unë nuk do ta quaja me luhatje të them të drejtën, sepse nga ndeshja në ndeshje kemi ardhur duke e rritur lojën, volumin e lojës, rastet, kemi nisur të kuptohemi më mirë me njëri-tjetrin. Për luhatjet te rezultatet ndonjëherë është edhe punë fati, është problemi që rastet e krijuara duhet t’i shfrytëzojmë më mirë. Nuk do ta quaja me luhatje, pasi kemi ardhur duke e rritur nivelin e lojës, pastaj sa i takon sulmit mund të them që jemi të gjithë fajtorë. Nuk është punë faji, pasi ne rastet i krijojmë. Realisht ndihet edhe mungesa e Xhevos edhe e Çanit. Nëse do të ishin edhe ata të dy të gatshëm për skuadrën besoj se do flisnim ndryshe sot.
Përmendet mungesat e juaja, por edhe kundërshtari i kësaj jave ka probleme. Si e shikoni ndeshjen me Kamzën?
– Po përgatitemi normalisht, pavarësisht gjendjes jo të mirë psikologjike. Ne këta jemi, e dimë që nuk e kemi atë lojtarin gol, siç e tregoi Xhevo në dy javë, apo atë Çanin që të gjithë e presin. Ne këta jemi dhe do mundohemi të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen. Kjo nuk diskutohet fare. Tani e tutje për ne janë ndeshje karakterit, që duhen luajtur me personalitet dhe duhet të tregojmë nga ndeshja në ndeshje që jemi po ai ekipi i fortë që kemi qenë.