Mediat serbe kanë raportuar pak minuta më parë se në doganën e Preshevës janë ndaluar 3 shtetas shqiptar nga policia serbe. Arsyeja? Në makinën e tyre është gjetur një dron, i cili nuk ka pasur dokumentacionin përkatës. Droni është gjetur në vendin e gomës rezervë. Shtetasit shqiptar kanë deklaruar se po udhëtonin drejt Beogradit për arsye biznesi, megjithatë policia serbe nuk është bindur nga kjo arsye. Siç bëhet me dije nga portalet serbe vetë policia ka deklaruar se i ka kthyer pas shtetasit shqiptar, duke marrë parasysh se nesër në mbrëmje do të luhet ndeshja mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut, që konsiderohet si një ndeshje me rrezikshmëri të lartë.
Mësohet se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit po marrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që ndeshja e së nesërmes në Ligën e Evropës të zhvillohet pa incidente.
Askush nuk e ka harruar atë që ndodhi tre vite më parë në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, teksa në minutën e 43-të një dron, i cili mbante një flamur me mbishkrimin “Autocthonous” valëviti mbi stadiumin e Beogradit. Ndeshja u ndërpre dhe pas një periudhe të gjatë dyerve të gjykatave drejtësia u vu në vend dhe Shqipëria e fitoi atë ndeshje në tavolinë. Sigurisht që në Serbi i druhen shumë një precedenti të ngjashëm.