Të enjten sfidon Milanin, Ajdareviç vishet kuqezi!

Mesfushori nga Prishtina, i rritur në Suedi dhe “fërguar” te Akademia e Liverpulit, pranon ftesën e trajnerit të Shqipërisë. Prej janarit, titullar te AEK-u në Greqi

Anton Cicani

Në listën e tij me thuajse 20 emra ishte edhe një emër mbi të gjithë, i rrethuar me të kuq dhe nga i cili priste vetëm një “po” për të mbyllur gjithçka dhe për ta marrë në gjirin e Shqipërisë, duke përfaqësuar ngjyrat kuqezi… Sigurisht, jo fort i ri, pasi 27 vjeç (ka lindur në Prishtinë më 17 prill 1990), por me një shtat që të kujton Lorik Canën e parë me kuqezinjtë. Ai lojtar dinamik dhe me grintë.

Dhe, nëse emri të duket shqiptar, mbiemri sigurisht nuk është edhe aq. Po flasim për “blerjen” e re të Kristian Panuçit: Astrit Ajdareviç, i biri i Agim Ajdareviçit, ish-futbollist i shumë skuadrave, si Spartak Subotica në Serbi dhe Falkenberg në Suedi. Pikërisht Skandinavia, ashtu si për shumë shqiptarë, do të bëhej edhe “ura lidhëse” me futbollin e madh për djaloshin e rritur në Prishtinë dhe që vetëm 2-vjeç mori rrugët duke emigruar.

https://www.youtube.com/watch?v=wkK1SToelY0

Ishin vite tranzicioni, teksa pikërisht te Falkenberg, ish-skuadra e të atit, i vogli Astrit nisi të zhvillohej në botën e topit. Por, në vitin 2009, kur ishte vetëm 19 vjeç, Liverpuli do ta dallonte me të rinjtë e Suedisë (ka luajtur me të gjitha moshat nga U-17, U-19, U-21, U-23 olimpik) dhe do ta afronte në Akademinë “Reds”. Menjëherë, huazim te Lesteri, skuadra kampione e Anglisë vjet dhe më pas Hereford në ligën e katërt angleze. Nga objekt misterioz te rikthimi në Suedi, pranë familjes dhe të atit. Aventura e re do të niste me Orebron dhe më pas një transferim te Norrkoping. Standard Liezhi bëhet stacioni tjetër për Ajdareviçin, i cili do të transferohet në Belgjikë për 1,5 mln euro, duke firmosur për katër vjet.

Megjithatë, vetëm në vitin e parë luan rregullisht, teksa shënon dy gola me Standardin dhe trajneri  e lë jashtë skuadre. Ajdareviç huazohet te Çarlton në Angli dhe Helsinborg në Suedi, pikërisht aty ku ka zemrën e tij. Orebro i rihap derën përpara dy sezonesh. Një sezon ku mesfushori shkatërrues nuk mungon thuajse asnjë ndeshje (36 paraqitje), duke shënuar edhe 6 gola. Sakaq, Kosova nis tentativat e para për ta bindur, por futbollisti lëkundet dhe nuk kthen përgjigje… Në dhjetor të vitit 2016 vjen firma më e rëndësishme: kalon në Greqi te AEK, me parametra zero. Lojtari do të rrëfejë që në një muaj humbi 7 kg nga faza përgatitore. Debuton ndaj Panetolikos më 4 janar 2017, teksa goli i parë vjen në derbin ndaj Olimpiakosit, duke u bërë idhull i tifozerisë. Të enjten për të do të jetë një sfidë e re, përballë Milanit të Montelës, në Europa League. Për Ajdareviçin, 6 ndeshje në kampionat në sezonin e ri, teksa prej janarit deri në maj luajti 19 të tilla vetëm në kampionat.

Ajdareviç për “Zona Gol” : Kam qenë me Suedinë deri u23, jam menduar gjatë dhe bëra zgjedhje zemre, Shqipëria është zgjedhja ime, para Kosovës. Jam ndier gjithmonë shqiptar, edhe në Suedi, nuk e kam mbajtur sekret. Njoh Etritin, si kundërshtar, nga kampionati suedez. Jam mesfushor ofensiv, kam vite që nuk më ka kontaktuar asnjë kombëtare, kam pritur deri tani një thirrje nga Shqipëria. Është edhe vëllai im që luan me Orebron, ndoshta vjen edhe ai te Shqipëria në të ardhmen.

Astrit Ajdareviç

Datëlindja           17 prill 1990

Vendlindja          Prishtinë

Gjatësia               1.92 m (6 ft 4 in)

Pozicioni              Mesfushor qendor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *