Jorgos: Jo kontratë me shefen në depresion…

 

Rekordmeni akuza të forta për shefen e klubit Skënderbeu në depresion dhe i bën thirrje kryebashkiakut Filo të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës.

Leonard Trebicka

Akuza dhe kundërzakuza për klubin shumësportësh “Skënderbeu”, atje ku shefja e këtij klubi ka rënë me “këmbët” e saj “brenda”, teksa tashmë akuzohet nga të gjithë. Disa javë më parë shefja e klubit shumësportësh Skënderbeun, e cila kishte pranuar në gjykatën e rrethit Tiranë se është me depresion, e zuri madje edhe me gazetarët që donte t’i nxirrte nga pallati i sportit. Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, edhe pas akuzave të kësaj shefe klubi nuk ka ndërhyrë të paktën deri dje në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që klubi shumësportësh “Skënderbeu” është në rrezik shkatërrim. Pasi drejtohet nga shefja që çdo ditë e më shumë po bën çudira në drejtimin e shumësportëshit korçar.

Historia

Historia e shefes së klubit ka nisur pikërisht me kampionin dhe rekordmenin historik shqiptar, Dhimitri Jorgos (Cepa), i cili që përpara dy vitesh, nëpërmjet gazetës “Sport Ekspres” dhe më pas edhe në emisionin “Zonë e Lirë”, akuzoi shefen e klubit për abuzim me fondet e Bashkisë. Kjo bëri që të dy palët, Marash dhe Jorgos, të përballen në dyert e gjykatës së rrethit Tiranë. Madje çështja vazhdon akoma në këto zyra. Jorgos ka fituar deri tani jo vetëm titullin kampion në moshën 53-vjeçare, por ka thyer çdo rekord historik në flakjen e diskut me limitet e moshës duke mbajtur tre rekorde, atë të paratërinjve, të të rinjve dhe të rriturve, të cilat vazhdojnë edhe sot të jenë në fuqi. Deri këtu gjithçka është në rregull, por ditët e fundit duket se ka plasur skandali në këtë klub shumësportësh. Ka qenë Jorgos që dje ekskluzivisht për “Sport Ekspres” zbulon skandalin e radhës dhe intrigat që, sipas tij, ka thurur shefja e klubit Skënderbeu, Tatjan Marash, e cila i ka kaluar kompetencat inspektorit të këtij klubi, Juxhin Çili, i cili prej më shumë se një muaji nuk i jepte asnjë përgjigje Jorgos për kontratën e re me klubin, e cila në fakt duhet të ishte firmosur në datën 1 shtator të vitit 2017.

Jorgos

Ja çfarë ka thënë dje Jorgos duke zbuluar të rejat e fundit në klubin Skënderbeu. “Shefja e klubit Marash ka më shumë se një vit që nuk më furnizon me bazë materiale siç shkruhej në kontratë dhe kjo do të thotë që ajo, në kontratën e mëparshme që unë kisha me të, nuk e ka zbatuar në pikat që ka shënuar vetë. Jam stërvitur si diletant dhe një sportist profesionist a mund të stërvitet me një disk plastik dhe të hedhë diskun në rrugë?! Ndërkohë që unë e bëra këtë dhe arrita të shpallesha edhe kampion, madje zura edhe kategorinë e parë pak muaj më parë dhe shefja e klubit u mundua që të ulë me çdo lloj mënyre dinjitetin tim si sportist kampion dhe rekordmen. Karakteri im bëri që unë të bëja më të mirën dhe shefja e klubit nga këto rezultate kaloi në depresion. Këtë gjë e kam vërtetuar edhe më parë me dosjen që ajo ka paraqitur në gjykatën e Tiranës, ku shprehet personalisht se ka pagjumësi, shqetësime, urren veten, depresion, nuk komunikon me njerëzit. Të gjitha këto bëjnë që shefja e klubit, vetëm nga urrejtja për mua, është munduar me çdo lloj mënyre të hyjë edhe në anën morale dhe psikologjike të familjes sime, gjë që unë nuk e pranoj dhe nuk kam për ta lejuar kurrë. Marash do të mbajë përgjegjësi deri në një për këto që po më bën jo vetëm mua, por për të gjithë shumësportëshit korçar. I drejtohem opinionit sportiv dhe kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo, si ka mundësi që një shefe klubi në depresion total të drejtojë një klub të madh me shumë histori. Madje ajo administron edhe një subjekt privat (kopësht fëmijësh) dhe edhe fëmijet janë në rrezik të madh për jetën e tyre. Tani po i zbuloj të gjitha për këtë shefe klubi, por nuk janë vetëm kaq. Kam më shumë se një muaj që po kërkoj kontratën e re me klubin shumësportësh Skënderbeu dhe inspektori i klubit Çili, duke marrë urdhëra nga ajo, më ka bërë të ditur që kam marrë në muajin maj të këtij viti një raport mjekësor dhe kur të përfundojë ky raport, që ishte për dëmtimet provizore të mia, atëherë duhet të drejtohem sërish në klub për të rifirmosur kontratën e re. Këtë përgjigje duhet ta kisha marrë që në datën 1 shtator, por e kam marrë vetëm sot. Ndërkohë që unë kam marrë edhe përgjigjet e analizave mjekësore që në datën 1 shtator jam i gatshëm për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet sportive. Madje disponoj vërtetim mjekësor nga mjeku sportiv Isuf Saliçe”. Më tej Jorgos thotë: “Kërkoj si kampion në fuqi që djersa ime në këtë moshë të mos shkojë dëm. Zonja Marash të mbajë përgjegjësi për dëmet psikologjike dhe ekonomike që po më sjell mua dhe familjes sime. Ajo nuk dëshiron që unë të lidh këtë kontratë të re me klubin Skënderbeu dhe nxjerr lloj-lloj justifikimesh. Ka më shumë se dy vite që Marash ato që ka thënë për mua i ka “lëpirë”. Prandaj Marash ndihet në vështirësi dhe në depresion e nuk di se çfarë të bëjë. Ajo urren veten dhe tani po urren edhe sportistët e këtij klubi. Bashkë me akuzat po sjell edhe fotot ku tregojnë stërvitjen time në kushte më shumë se të vështira. I drejtohem njëkohësisht edhe kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo, i cili është në dijeni për ato kushte që unë stërvitem, që të ndërhyjë sa më parë në klubin shumësportësh për të ndalur çmenduritë e një shefe klubi. Jam gati të debatoj në çdo moment dhe kudo ajo dëshiron, ndërkohë që Marash po shkel me këmbët e saj gjithçka që ka të bëjë me sportin që ajo drejton, por që në fakt nuk duhet ta drejtojë në asnjë moment, për arsyet që ajo ka paraqitur duke qenë në depresion. Mbaj përgjegjësi morale dhe disponoj të gjitha dokumentet për çfarë kam thënë më sipër dhe akuzat që kam ngritur ndaj saj. I jam drejtuar Auditit të Korçës, ndërkohë që tani do t’i drejtohem edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kam sinjale që klubi Skënderbeu është më i korruptuari në Shqipëri si më rrogat e sportistëve, ashtu edhe me dietat. Kërkoj të bëhet një audit nga Tirana dhe sa janë të vërteta le ta zbulojë vetë Auditi. Unë personalisht nuk bëj kontratë me një shefe në depresion dhe që urren veten”, ka thënë midis të tjerash Jorgos i cili ka bërë të ditur vetëm një pjesë të akuzave, pasi është gati të nxjerrë edhe material të tjera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *