Parlamenti i Katalunjës ka deklaruar pasditen e sotme krijimin e një Republike Katalane. Me një votim sekret, pavarësia e Katalunjës është shpallur me 70 vota në favor, 10 kundër 2 abstenim. Një lajm i bujshëm, që natyrisht nuk i jep fund këtu betejës mes shtetit spanjoll dhe krahinës së famshme, por nga ana tjetër mund të çojë në një konflikt të hapur, ndoshta edhe të përgjakshëm.
Enhorabona, catalans! Avui comença el ple reconeixement de la nostra identitat, també en l’esport. Benvinguts a la República Catalana! pic.twitter.com/6g6O9nIyLM
— Plataf.ProSeleccions (@SeleccionsCAT) October 27, 2017
Po sporti, si ndikohet nga kjo histori? Çfarë do të ndodhë me kompeticionet, ekipet dhe kombëtaret?
Së pari, një Katalunjë e shpallur e pavarur në mënyrë të njëanshme nuk do të thotë që automatikisht që nesër ekipet katalane mund të garojnë ku të duan. Procesi është i gjatë dhe nëse u referohemi precedentëve, do të duhet një periudhë shumë e gjatë kohe deri në njohjen ndërkombëtare të Katalunjës. Barcelona, nëpërmjet presidentit të saj, ka shprehur vullnetin për të vazhduar në LaLiga. Ndërkaq, përfshirja e Katalunjës në futboll zyrtar do të varet nga pranimi ose jo në FIFA. Kjo vlen edhe për sportet e tjera, që duhet të pranohen e njihen në organizatat përkatëse.
Kur do të ndodhë pranimi i Katalunjës në federatat sportive ndërkombëtare? Nuk ka për të ndodhur shpejt, do të duhen deri në 6 vite në disa raste. Barcelona, Espanjoli, Zhirona dhe klubet e tjera nuk do të përjashtohen nga kampionatet ku marrin pjesë, gjithçka do të vazhdojë normalisht. Deri në momentin kur Katalunja do të njihet ligjërisht si shtet i pavarur, sporti spanjoll nuk do të marrë asnjë masë, ndërsa gjërat do të ndryshojnë kur të krijohet një Federatë katalane dhe do të njihet nga organizatat ndërkombëtare, për shembull FIFA të njohë Federatën Katalane të Futbollit.
Po më vonë, pas pavarësisë zyrtare? Ligji i sportit në Spanjë nuk lejon pjesëmarrjen e klubeve nga shtete të tjera që të garojnë në sportin spanjoll, me përjashtim të Andorrës, ndaj Katalunja është e detyruar të krijojë organet sportive dhe klubet sportive të Katalunjës duhet të shkëputen nga Spanja.