Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, duket se nuk është përshtatur ende me klimën e Shqipërisë. Tekniku italian, edhe pse nuk ka gjetur ndryshime të mëdha klimatike, duke qenë se Shqipëria dhe Italia kanë kushte klimaterike thuajse të njëjta, po e vuan shumë të ftohtin. Ai ka marrë një tjetër të ftohur, çka e ka detyruar të mos paraqitet në stërvitjen e djeshme stërvitore. Juliano nuk ka qenë në Kamzë dhe seanca është drejtuar nga zëvendëstrajnerët Dosena dhe Dalipi.
Juliano po kalon vështirësi, pasi thuajse çdo javë mungon në ndonjë seancë stërvitore për shkak të rikthimit të gjendjes gripale. Nëse trajneri do të ishte në rolin e lojtarit, padyshim se forma e tij do të kishte rënie për shkak të mungesave të vazhdueshme. Të shpresojmë që Juliano ta kalojë sa më shpejt edhe këtë gjendje gripale dhe të rikthehet në drejtimin e skuadrës. Ndërkohë, fundjava u kalua në Itali nga Juliano, nën shoqërinë e Bobo Vierit, Paolo Maldinit e miqve të tjerë.