Shënoi një gol që ka ngjallur shumë debate, por duke iu kthyer ngjarjes së Gjirokastrës, Elis Bakaj vazhdon të besojë se nuk kishte ç’të bënte tjetër dhe se i besoi instiktit, aq më shumë që edhe arbitri nuk sinjalizoi asgjë. I ftuar në “Procesin Sportiv”, sulmuesi i Kukësit tregon ngjarjen e fundjavës së shkuar: “Ishte thjesht instikt sulmuesi, diçka që nuk ndodh shpesh në futboll. Një herë bëhet gabimi, dy herë do të ishte faj. Erdhi një top pas shpine nga 50 metra, në momentin e parë të topit dëgjoja vërshëllimën. Në atë moment unë e lashë lojën, si Guri e si të gjithë. Më pas pashë anësorin që nuk kishte ngritur flamurin. Në atë moment arbitri thotë vazhdoni lojën, shoku i skuadrës më dha topin dhe godita. Në 2-3 sekonda s’ke kohë të mendosh”.
Për kampionatin: “Javë pas jave po shohim gola të bukur, çka do të thotë jemi një kampionat në rritje. Duhej të merrnim një barazim me Skënderbeun. Kemi një pikë më pak nga sa kishim llogaritur. Diferencat në kampionat nuk janë shumë të mëdha. S’mund të themi kush është më mirë, ia lëmë vazhdimit. Kampionati shqiptar ka lojtarë me cilësi. Kombëtarja jonë nuk është e Brazilit. Nuk kemi shumë diferencë. Edhe ritmi në vitet e fundit është rritur dhe jo më kot Skënderbeu ka shkëlqyer në Europë dhe Kukësi në Champions u largua nga 11-metërsh. Nuk mund të fajësojmë askënd, por Kombëtarja duhet të shohë dhe nga kampionati shqiptar”.