Aventura te Sioni mbaron pas gati 3 muajsh. U deshën 16 ndeshje që presidenti Konstantin të merrte vendimin drastik. Deçiziv barazimi 2-2 ndaj Luganos, pikërisht ekipi i tij sezonin e shkuar
Aventura e Paolo Tramexanit te stoli i Sionit ka zgjatur vetëm 3 muaj, pasi dje është shkarkuar nga detyra e tij si trajner i kësaj skuadre, pas barazimit 2-2 përballë Luganos, në javën e 12-të të kampionatit zviceran. Praktikisht, u deshën 16 ndeshje (përfshirë dy në play-off të Europa League dhe 2 në Kupën e Zvicrës) që presidenti Konstantin të merrte këtë vendim të rëndësishëm.
“Klubi largon trajnerin nga drejtimi i skuadrës”, lëxohej në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Sionit. Sioni ka arritur të grumbullojë 2 pikë në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, teksa barazimi fatal me ekipin e fundit në renditje, që sezonin e shkuar ishte “shtëpia e tij”. Një ironi fati për Tramexanin, i cili pati edhe polemika në momentin kur la Luganon (pasi e kishte çuar në Europë), teksa presidenti i bardhezinjve, Renxeti, e akuzoi ashpër për një tradhti.
Sioni mbetet në vendin e shtatë në renditje, me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 12 javë. Sakaq, me largimin e Tramexanit rrezikojnë shumë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë: Lenjani dhe Kukeli. Në fakt, në fund të sezonit, ose edhe në janar, të dy mund të mendojnë edhe largimin, pasi u kërkuan nga trajneri italian me çdo kusht por nuk kanë dhënë ende atë që pritej.